FIER- Një ditë pasi policia e Fierit zbuloi një laborator në ndërtim e sipër, i cili dyshohet se do të përdorej për kultivim të bimëve narkotike, janë zbardhur edhë dëshmitë e punonjësve.

“Po ndërtonim një pulari, jo laborator droge”. Këto mësohet të kenë qenë fjalët e të afërmve dhe punëtorëve të cilët thuajse kishin përfunduar së ndërtuari një laborator brenda magazinës në pronësi të 50-vjeçarit Vladimir Çilotaj, në lagjen Mbrostar të qytetit të Fierit, që sipas policisë dhe prokurorisë së Fierit, do të përdorej për kultivimin dhe përpunimin e hashashit.

Nga burime të sigurta thuhet se sipas informacioneve të marra në rrugë operative, hetuesit kanë mësuar se në magazinën 480 metra katrorë ku Vladimir Çilotaj kishte vendosur bazën ushqimore për bagëtinë që mbarështonte, mund të ishte duke u ndërtuar një laborator për kultivimin e lëndëve narkotike dhe përpunimit të tyre.

Kjo, pasi pas gjetjes së gomones ditën e hënë në bregdetin e Semanit nga policia kufitare, është konkluduar paraprakisht se pronari i saj mund të kishte lidhje me 50-vjeçarin nga qyteti i Patosit, Vladimir Çilotajn.

Kur kanë mbërritur në pronat që administron 50-vjeçari Çilotaj në Mbrostar të Fierit, hetuesit kanë konstatuar se veç stallave ku qëndronin dhjetëra krerë lopë e derra, gjendej edhe një magazinë e mbushur nga të dyja anët me bazë ushqimore për bagëtinë.

Por, kur oficerët e antidrogës kanë kërkuar që të zhvendosin dengjet me bar për të parë në brendësi të magazinës, punëtorët dhe të afërmit e Vladimir Çilotajt janë shprehur se aty ishte duke u ndërtuar një pulari për rritjen e pulave.Pasi hetuesit kanë hyrë në ambientet e brendshme të asaj që prej punëtorëve është quajtur si një pulari në ndërtim, kanë konstatuar se aty ishin montuar pajisje që dyshohet se do të shërbenin për kultivimin e drogës në një sipërfaqe prej rreth 300 metrash katrorë. Menjëherë ka nisur puna për zbulimin e vendndodhjes së Vladimir Çilotajt dhe kapjen e tij, por deri tani kjo gjë ka qenë e pamundur pasi 50-vjeçari ka mundur t’u shpëtojë prangave.

Ditën e djeshme, policia e Fierit njoftoi zbulimin e një laboratori në ndërtim e sipër, i cili dyshohet se do të përdorej për kultivim të bimëve narkotike. Gjithashtu, në njoftim thuhej se në afërsi të fshatit Seman ishte sekuestruar edhe një mjet lundrues me gjatësi rreth 12 metra, i dyshuar për transport lëndësh narkotike.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re