Skip to content

Laboratori në Has, burg për tre të arrestuar, lirohen dy të tjerë

Tre nga të arrestuarit pas zbulimit të laboratorit të heroinës në fshatin Brenog të Hasit kanë mbetur në burg ndërsa dy të tjerë kanë marrë masën e sigurisë arrest shtepie dhe detyrim paraqitje.

 

Gjykata e Kukësit ka  dhënë masën “arrest me burg” për Xhevit Shutin, Flamur Çelën, Vehbi Barushin, ndërsa “arrest shtëpie” për Mustafë Shutin dhe “detyrim paraqitje” për Anila Shutin.

 

Caktimi i masës u bë nga gjyqtari Rexhep Karaj, ndërkohë që prokurori i çështjes, Etmond Karriqi kërkoi ‘arrest me burg’ për të 5 të ndaluarit e këtij rasti, të cilët akuzohen për posedim, përpunim e trafikim të lendeve narkotike në bashkëpunim. Mbrojta e të pandehurve është marrë përsipër nga avokatet Aurora Guska e Domenika Gjergji.

 

Sipas policisë në këtë operacion janë vënë në pranga 6 persona, një prej të cilëve biznesmen turk si dhe 3 prej të cilëve nga familja Shuti, në banesën e të cilëve u gjet laboratori i drogës.

 

Gjithashtu gjatë këtij operacioni janë sekuestruar një sasi prej 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.