Egnatia siguroi kualifikimin për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, teksa mundi dhe në ndeshjen e dytë Laçi në shtëpi me rezultatin 3-1.

Rrogozhinasit vinin pas fitores minimale në Kurbin dhe në përballjen e dytë ishin mjaft të qetë. Debutonte te Laçi trajneri Armando Cungu, i cili e nisi me humbje aventurën te bardhezinjtë, ndërkohë që tashmë do të fokusohet për të realizuar objektivin mbijetesë në kampionat.
Vendasit ishin dominues që në fillimin e lojës e pa u mbushur 20 minuta ia dolën që të shënonin golin e avantazhit. Aleksi shërbeu një top të gjatë për Montenegron, i cili, i vetëm me Dajsinanin, arriti që të gjejë rrugën e rrjetës. Në të 34-ën, rrogozhinasit ishin të pa fat, pasi Dajsinani dhe traversa më pas i mohuan golin Zejnullahit.

Pak momente më vonë, një goditje e Ndrecës u ndal nga Manellarit. Fillimisht arbitri akordoi faull për bardhezinjtë, por më pas Hamiti u thirr nga VAR dhe kryesori akordoi 11 metërsh.
Nga pika e bardhë e penalltisë Aleksi u tregua i saktë dhe dyfishoi shifrat. Pjesa e dytë nisi siç përfundoi e para me Egnatian që realizoi përsëri. Ibrahimoglu shërbeu një top në qendër, ku Montenegro, me portën e boshatisur, shënoi dhe të tretin për vendasit.
Në vijim Laçi reagoi dhe në të 61-tën ia doli që të ngushtonte diferencën me Myrtan. Gjashtë minuta më vonë, kurbinasit fituan një 11-metërsh, megjithatë nga pika e bardhë këtë herë Kryeziu u ndal nga Sherri me rezultatin që nuk ndryshoi deri në fund. Rrogozhinasit presin biletën për në raundin tjetër dhe marshojnë të qetë drejt objektivave të tyre për të pasur sukses në të dy kompeticionet.
Në anën tjetër Laçi tani do të fokusohet vetëm tek kampionati, ku në 10 ndeshjet e fundit kërkon mbijetesën me çdo kusht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re