Emisari i Bashkimit Europian Miroslav Lajcak vizitoi këtë të martë Kosovën , ku u takua me Zv.kryeministrin Besnik Bislimi. Fokusi i bisedimeve mes tyre ishte dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në një konferencë për mediat pas diskutimeve Lajcak deklaroi se në ditët në vijim do të punojë për një tjetër takim mes negociatorëve përkatës.

“Planifikoj që në ditët në vijim të organizoj një takim tjetër në nivel të kryenegociatorëve  dhe  kjo është edhe arsyeja kryesore e vizitës në Prishtinë. Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Unë jam i sigurt për këtë. Prandaj është në interesin e të gjithëve që të fillojë zbatimi. Pyetja e vetme është se kur do të nis zbatimi”, tha Lajçak.

Ai theksoi se me Bislimin diskutoi dhe për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.

“Diskutuam edhe për  çështjen e pagesave dhe që është pjesë relevante e dialogut. Janë disa  përgjigje që duhet analizuar, por ky është një proces. Duhet të jemi të sigurt që qytetarët të mos të ndikohen negativisht nga rregullorja e re e BQK-së”, tha Lajçak.

Vizita e Lajçak në Kosovë  vjen një javë pasi ai u takua me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel  për të diskutua për çështjen e rregullores së bankës,  e cila e shpalli euron si monedhën e vetme zyrtare në vend./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re