I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mbrëmjen e 25 janarit pritet të qëndrojë në Prishtinë, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet në Bruksel. Për këtë vizitë ende nuk ka detaje të hollësishme, por diplomatët në Bruksel pohojnë se edhe këtë vizitë duhet parë si vazhdim të përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

 

 

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk e kanë konfirmuar vizitën e Lajçakut në Kosovë.

 

 

Lajçak, por edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, publikisht kanë mirëpritur qëndrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa i përket propozimit evropian, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman. Kjo gjë lë përshtypjen se tani duhet të punohet më shumë edhe me përfaqësuesit e Kosovës.

 

 

Më 23 janar, Vuçiq deklaroi se propozimi i BE-së është kornizë e re negociuese për Serbinë.

 

 

Vizita e së mërkurës vjen disa ditë pasi Lajçak, së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët për politikë të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë dhe të Italisë.

 

 

Për ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, Borrell ka diskutuar para ministrave të Jashtëm të bllokut gjatë 23 janarit.

 

 

Propozimi i BE-së u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

 

 

Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

 

 

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

 

 

Rreth këtij propozimi tashmë është arritur një unitet ndërkombëtar dhe janë ftuar Kosova dhe Serbia që të jenë konstruktive në qasjen ndaj këtij propozimi, në mënyrë që të arrihet pajtimi për të.

 

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog në Bruksel. Ky dialog ka për synim normalizimin e raporteve. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit. Kosova ka thënë se një marrëveshje finale duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia ka insistuar në një zgjidhje kompromisi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re