Në ndryshim nga ana e presidentit Meta, i cili paralajmëroi personalisht çdo deputet që do të votojë sot në mënyrë të njëanshme Kodin Zgjedhor, Lulzim Basha është treguar më i butë kur është pyetur nga gazetarët për këtë temë.
Kreu demokrat tha se nuk ka asnjë formulë që mund ta shpëtojë Edi Ramën nga humbja, dhe se fokusi i të gjithëve sot duhet të jetë rimëkëmbja ekonomike e vendit.
“Nuk ka formulë që mund ta shpëtojë Edi Ramën nga zgjedhjet e 25 Prillit. Edi Rama do të largohet me votë plebishitare, do kontestojmë çdo hap antikushtetues që po miratohet sot në Kuvend. PD po bën gjithçka për interesin e njerëzve, në ndryshim nga banda që është në pushtet. Do të doja që të gjithë të fokusoheshin te ekonomia e vendit, te familjet shqiptare që nuk kanë se çfarë të shtrojnë në tryezat e tyre”, u shpreh Basha pas takimit me biznesin e vogël.
Ndërkohë që Meta deklaroi më herët:
“Unë uroj që e ashtuquajtura mazhorancë të thellohet, dhe po ashtu të ashtuquajturit opozitarë, nëse duan të quhen të tillë, ti mbyllin sot derën integrimit të vendit të Shqipërisë.
Pasi çdo deputet qëë ngre sot dorën, duhet ta dijë që do të ketë përgjegjësi individuale dhe politike, sepse kjo është një përmbysje tinzare dhe e pabesë e rregullave të lojës. Presidenti do i publikojë emrat e të gjithë atyre që duan ta rikthejnë Shqipërinë 30 vite pas, presidenti do bëjë atë gjë që është e mirë për Integrimin e Shqipërisë.
Presidenti dhe 3 milionë shqioptarë do tregojë se Europa është në zemrat e tyre, dhe nuk është vetëm euro”.
