Ka ndërruar jetë si pasojë e Covid 19 pedagogia e Fakultetit të Ekonomisë Irena Bogdani. Lajmin e ka konfimuar vetë Fakulteti i Ekonomisë, i cili i ka shprehur ngushëllimet e thella familjes dhe miqve të profesoreshës së nderuar, të dashur dhe të vlerësuar në ambjentet akademike të Universitetit të Tiranës.

“E vështirë për ta pranuar dhe besuar se e nesërmja në auditoret dhe ambjentet e fakultetit do të jetë pa zyshë Irenën. Mirësia që ajo transmetonte, ndershmëria dhe profesionalizmi në mësimdhënie e bëjnë dhimbjen që përjetohet nga kjo humbje e pa pritur edhe më të rëndë. I gjithë stafi akademik, studentët dhe stafi ndihmës, përkulen me respekt dhe mirënjohje përballë kujtimit të Profesores Irena Bogdani”, shkruan ndër të tjera dekani i Fakultetit të Ekonomisë në emër të studentëve dhe stafit.

Lidhur me këtë ndarje nga jeta të pedagoges, ka reaguar dhe ministrja Evis Kushi, e cila shkruan:

Për profesoreshë Irena Bogdanin në Universitetin e Tiranës ruaj mbresat më të mira nga shumë konferenca shkencore ku kemi marrë pjesë së bashku. Ajo ishte një akademike e profesioniste shumë e mirë dhe gëzonte respekt tek të gjithë kolegët e studentët.

Shumë e pikëlluar për humbjen e saj të parakohshme nga virusi i pabesë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe gjithë të afërmit e saj. U prehsh në paqe profesoreshë Irena!

Bogdani është diplomuar në 1981 në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës në profilin”Kontabilitet”. Pedagoge efektive pranë FEUT që prej vitit 1982. Drejtuese e leksioneve dhe seminareve në disa lëndë, nga të cilat për shtrirjen e gjatë kohore të mësimdhënies veçohen lëndët “Kontabiliteti për Fakultetin e Drejtësisë”, “Kontabiliteti Publik” dhe “Kontabilitet” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega Informatikë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re