Policia ka mundur të vërë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së Ahmet Toskës, ngjarje e ndodhur kjo në Fier, në 26 Tetor të këtij viti.

Toska u qëllua në kokë teksa ishte duke shoqëruar gruan e tij për në vendin e punës, ndërsa u tha se ishte pa precedentë të mëparshëm penalë. Autori i dyshuar sipas policisë është shtetasi me inicialet F.H, 52-vjeç, ndërsa mbetet ende mister arsyeja që ka çuar në këtë krim të rëndë.

Njoftimi i Policisë:

Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i ngjarjes së datës 26.10.2020, ku në lagjen “Sheq i madh” Fier, mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi A. T.

Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 26.10.2020, ku në lagjen “Sheq i madh”, Fier  është vrarë me armë zjarri shtetasi A. T., 50 vjeç, pas një pune të mirëorganizuar dhe hetimeve të pandërprera, është arritur të behet kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar: F. H., 52 vjeç, banues në Fier.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier në bazë të fakteve dhe provave të administruara në interes të hetimeve të procedimit penal të regjistruar për vrasjen e shtetasit A. T., ka lëshuar urdhërin për ndalimin e shtetasit F. H., si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të  armëve dhe municionit luftarak”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re