Është ndaluar në spitalin e Traumës në Tiranë Vincens Piroli, i cili mbeti i plagosur në rrethana të paqarta mbrëmjen e djeshme. I riu dyshohet se u plagos pranë Urës së Bunës dhe u dërgua në spitalin e Lezhës.

Vincens Piroli ka rrëfyer para hetuesve se zgjodhi spitalin e Lezhës për çështje sigurie pas atentatit me armë ndaj tij ku mori 2 plumba. Referuar dëshmisë së 34-vjeçarit, ai ka qenë duke ecur i vetëm në rrugë kur ka ndjerë plumbat në drejtim të tij, ndërsa dyshohet se është përdorur armë me silenciator pasi nuk janë dëgjuar krisma.

Ai ka telefonuar një të afërm të tij i cili është ende i paidentifikuar dhe për të cilin policia po heton e bën kërkime që ta identifikojë dhe marrë dëshminë. I afërmi i tij ka mbërritur në vendngjarje dhe e ka transportuar drejt Lezhës me një automjet tip “Ford”. Dyshohet se atentati ndaj tij është bërë për hakmarrje, pasi i riu ishte lakuar si një personazh me precedent dhe vrasës me pagesë.

Në Spitalin e Traumës janë angazhuar trupa policore për çështje sigurie të Pirolit, ndërsa burime i thanë Fax News se i riu e ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa trajtimi intensiv ndaj tij vijon.

34-vjeçari ka humbur shumë gjak gjatë transportimit për në spital. Ngjarja është e mbuluar nga misteri, pasi i plagosuri ka treguar shumë pak detaje për dinamikën në të cilën ka ndodhur, dhe sipas hetuesve, për sa më sipër janë vetëm në fazën fillestare pasi ajo mund të ndryshojë.

Kjo edhe për faktin se i riu ka qenë jo shumë i besueshëm, përfshirë edhe fshehjen e emrit të të riut që e ka ndihmuar për ta dërguar në spital. Policia ka shoqëruar disa persona në komiasiat, përfshirë të afërm të Pirolit, ndërsa hetimet janë shtrirë në 3 qytete, Shkodër, Kurbin dhe Lezhë.

Të afërmit kanë rrëfyer se Piroli i ka kontaktuar pas atentatit ku ju ka rrëfyer se çfarë i ka ndodhur duke iu kërkuar të bëjnë kujdes. Nga ana tjetër, hetuesit kanë kërkuar informacione edhe nga homologët malazez në lidhje me ngjarjen e disa muajve më parë në këtë shtet ku u ekzekutua një person, dhe akuza e vrasësit ra mbi Pirolin.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re