Një sasi e konsiderueshme droge është zbuluar nga policia në fshatin Nojë të Krujës, ndërsa është vënë në pranga kryeplaku, dhe është shpallur në kërkim një person tjetër. Policia ka zbuluar një sasi prej 145 kilogramësh lëndë narkotike e cila ka qenë e fshehur në disa fuçi dhe e ndarë në pako.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e dy personave, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 145 kg lëndë narkotike cannabis sativa, gati për shitje, si dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Noja”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni i zhvilluar nga strukturat e DVP Durrës dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-së.
Sekuestrohet një sasi prej 145 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe municion luftarak.
Arrestohet në flagrancë kryeplaku i fshatit Nojë, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër.
Strukturat e DVP Durrës dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-së, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, mirorganizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Noja”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
H. M., 66 vjeç, banues në fshatin Nojë, Krujë, me detyrë kryeplak i fshatit Nojë, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit B. S.(X)., 34 vjeç, banues në Nojë, Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 145 kg lëndë narkotike cannabis sativa, gati për shitje, si dhe municion luftarak.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
…
/faxweb
