Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe të anëtarëve zëvendësues, Avokatit të Popullit, përfaqësuesit të Presidentit të Republikës, përfaqësuesit të Kuvendit, si edhe të drejtueses së Euralius e OPDAT në cilësinë e institucioneve mbështetëse me konsulencë në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e KED, ditën e martë 30.06.2020, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, ku në rendin e ditës ishte përcaktuar:

1.Diskutime dhe vlerësime në lidhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin nr.978/2020, datë 19 qershor 2020 “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” përsa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

2.Të tjera që lidhen me vijimësinë e përgatitjes së çështjeve të shortuara.

Përpara nisjes së diskutimeve në respektim të këtij rendi dite, anëtarët e KED duhet të miratonin edhe procesverbalet e mbledhjeve të kaluara të datave 3, 5 dhe 6 shkurt 2020. Për miratimin e këtyre procesverbaleve u vendos që të procedohet në mbledhjen e radhës së KED, pasi ato t’i përcillen Avokatit të Popullit për t’u njohur më përmbajtjen e tyre.

Sa i takon pikës së parë të rendit të ditës, KED vendosi të ngrihet një grup pune i përbërë nga anëtarja e KED Znj. Saida Dollani dhe anëtarja zëvendësuese Znj. Marsida Xhaferllari, të cilat do të punojnë intensivisht mbi pasqyrimin e rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin nr.978/2020, datë 19 qershor 2020 “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” përsa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këto rekomandime do të pasqyrohen në aktet rregullatore të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të bërë të mundur vijimin e procesit në tërësi mbi përzgjedhjen e kandidaturave për vendet vakante.

Në lidhje me vijimësinë e përgatitjes së çështjeve të shortuara u bë me dije nga anëtarët relatorë se dy nga vakancat e përkohëshme që i takojnë institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, janë përgatitur plotësisht dhe në një kohë sa më të afërt do t’u përcillen kandidaturave përkatëse. Lidhur me vakancën e tretë që i takon Presidentit të Republikës, nuk është përfunduar ende i gjithë procesi standard i verifikimit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re