Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, pritet të njoftojë rastin e parë të një personi të prekur nga virusi vdekjeprurës coronavirus.

CNN raporton se virusi është shfaqur tek një person në Washington.

Virusi njihet si “Coronavirus” dhe në botën mjekësore konsiderohet si “kushëriri” i virusit SARS.

Coronavirus u shfaq fillimisht në qytetin e  Kinës perëndimore, Wuhan. Zyrtarët në Kinë kanë konfirmuar se ky virus është transmetuar edhe mes njerëzve dhe infeksioni mund të përhapet lehtësisht.

Çfarë është ky virus?

Coronavirus janë një grup i madh virusesh të cilat njihen gjerësisht në botën e kafshëve, por në raste të rralla ato mund të transmetohen nga kafshët tek njerëzit. Përpara këtij virusi, që po përhapet tashmë në Kinë, bota ka njohur dy Coronavirus të rrezikshëm si, MERS dhe SARS.
Virusi mund t’i sëmurë njerëzit dhe të krijojë probleme në rrugët e frymëmarrjes, të ngjashme me viruset e rëndomta që prekin popullatën. Përshembull, disa nga simptomat e këtij virusi janë; kolla, dhimbjet e kokës, temperaturë e lartë, dhembje të fytit, të cilat mund të zgjasin për dy ditë.
Për personat me sistem imunitar të dobët, siç janë të moshuarit apo bebet, ekziston rreziku që virusi të shkaktojë sëmundje më të rënda të rrugëve të frymëmarrjes, si pneumonia apo bronkiti.
Personat që janë prekur nga virusi, raportohet se kanë patur të gjithë probleme me frymëmarrjen. Duke qenë se bëhet fjalë për pneumoninë virale, antibiotikët janë të padobishëm.
Mjekët sqarojnë se mund të përdoren ilaçe antivirale, por ato thjesht menaxhojnë simptomat duke i lehtësuar ato, por nuk eleminojnë virusin. Shërimi i pacientit varet nga fuqia e sistemit imunitar. Personat që kanë humbur jetën deri tani në Kinë, kanë patur sistem imunitar më të dobësuar.

Si përhapet ky virus?

Virusi përhapet fillimisht nga kafshët tek njerëzit. Shkencëtarët janë të mendimit se virusi MERS u përhap prej gamileve, ndërsa virusi SARS prej maceve.
Virusi përhapet mes njerëzve, pas kontaktit me sekrecionet e personit të prekur. Virusi mund të përhapet nëpërmjet kollës, teshtimave apo edhe nga një shtrëngimi duarsh.

A mund të përhapet ky virus në mbarë botën?

Ekziston rreziku që virusi i identifikuar në Kinë, të përhapet në një shkallë më të gjerë, veçanërisht duke marrë parasysh pushimet që do të ketë në Kinë, për shkak të Vitit të Ri Kinez, i cili fillon më 24 Janar. Miliona persona pritet të kthehen në shtëpitë e tyre në Kinë për të festuar. Për momentin, është e qartë se personat me sistem imunitar më të dobët janë më të rrezikuarit nga virusi.

Masat që duhen marrë për të ulur rrezikun e infektimit.

Çdo person duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndërmarrë hapa, për të ulur rrezikun e prekjes nga virusi. Fillimisht duhen evituar personat që janë të sëmurë. Mundohuni të mos prekni sytë, hundën dhe gojën. Lani duart shpesh me sapun të paktën për 20 sekonda. Nëse jeni sëmurë, qëndroni në shtëpi, evitoni turmat dhe kontaktin me të tjerët. Mbulojeni gojën dhe hundën kur kolliteni dhe tështini. Gjithashtu, disinfektoni objektet që prekni. /TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re