Presidenti i vendit Ilir Meta ka publikuar 72 përgjigjet që ka dorëzuar dje në Kushtetuese, mbi pyetjet e vetë gjyqtarëve në lidhje me qëndrimet që ai ka mbajtur, para dhe gjatë zgjedhjeve të 25 Prillit.

Meta pretendon në përgjigjet e tij kundrejt Gjykatës Kushtetuese, se Kuvendi ka falsifikuar dokumentet për ngritjen e Komisionit Hetimor.

Sipas presidentit, mbledhja e provave është bërë në mënyrë joligjore.

Në një nga përgjigjet e Metës, për pyetjet e Kushteyueses thuhet se Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, nuk ka asnjë tagër që të zëvendësojë, të përfaqësojë, apo të konfirmojë vullnetin e trupës së deputetëve që mori vendimin nr. 55/2021, në Legjislaturën IX-të.

Kreu i shtetit ka dhënë llogari dhe për arsyet që e ccuan të mos merrte pjesë në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij.

Ju keni refuzuar të merrni pjesë në seancën hetimore, duke pretenduar se keni pasur takime të programuara zyrtarisht me përfaqësues të lartë të vendeve të tjera. A ka ndodhur në praktikën tuaj që të ndryshoni takimet kur e kanë kërkuar rrethanat? A ka qenë ky shkak për mosparaqitjen tuaj në seancat dëgjimore të zhvilluara nga komisioni hetimor dhe Kuvendi?

Përgjigje: Pyetja nuk është korrekte. Presidenti më së pari, asnjëherë nuk ka refuzuar takimin, madje ka kërkuar të dëgjohet nga Komisioni për çështjet ligjore, që nuk zhvillon seancë hetimore, siç ju referoni në pyetjen tuaj. Lutemi t`i referoheni shkresave të datës 5 dhe 6 maj 2021, të Institucionit të Presidentit, ku ka shprehur gatishmërinë për t`u takuar, diskutuar dhe t`u dëgjuar në Komisionin për çështjet ligjore në datën 10 maj 2021, e duke kërkuar caktimin dhe të orës së takimit.

Për më shumë, referojuni shkresave të Presidentit të Republikës nr. 1520/2 Prot., datë 5.5.2021 dhe nr. 1533/2 prot., datë 06.05.2021, dhe qëndrimeve të dorëzuara nga Presidenti i Republikës që në datën 1 korrik 2021 (faqe 88 e në vijim). Komisioni për çështjet ligjore, në funksion të urdhrit politik, komunikoi në mënyrë ultimative me Presidentin e Republikës, duke i kërkuar që për një çështje kaq të gjerë dhe të madhe, të paraqitej në më pak se 20 orë.

Një tjetër shkak i pretenduar për refuzimin e paraqitjes suaj në seancat dëgjimore është edhe mungesa e legjitimitetit të strukturave përkatëse të Kuvendit. Ku mbështetet mosnjohja e legjitimitetit të komisionit hetimor, si organ i pushtetit ligjvënës i ngritur sipas ligjit? 

Përgjigje: Mungesa e legjitimitetit e strukturave hetimore të ngritura në Kuvend, ka qenë flagrante dhe është dokumentuar gjerësisht me prova shkresore, dhe në mënyrë të plotë në qëndrimin e Presidentit të Republikës depozituar që prej datës 1 korrik 2021, përpos parashtrimeve të tjera, trajtohen edhe më thellësisht në faqen 110 e në vijim, të tyre.

Jepni argumente të zgjeruara për pretendimin se veprimtaria e komisionit hetimor duhet të kryhet para mbarimit të afatit të mandatit të Kuvendit, përndryshe komisioni humbet legjitimitetin. 

Përgjigje: Argumentet mbi këtë çështje janë të mbështetura në dokumente dhe të trajtuara gjerësisht me prova shkresore, dhe në mënyrë të plotë në qëndrimin e Presidentit të Republikës depozituar që prej datës 1 korrik 2021, në faqen 88, deri në faqen 130, të tij.

Pse mendoni se ngritja e komisionit hetimor nuk përputhet me funksionin dhe qëllimet e kontrollit parlamentar të parashikuar në nenin 77 të Kushtetutës? 

Përgjigje: Komisioni hetimor i cili funksionon duke dhunuar Rregulloren e Kuvendit në çdo pikë të vetën, i cili shkel procedurat në funksion të urdhërimit politik, dhe shkel Kushtetutën, që në nenin 77, pika 3, përcakton qartë se: “3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj”, nuk ka më asnjë diskutim se, ky komision u ngrit dhe funksionoi në mënyrë antikushtetuese. 8 Për më shumë, referojuni qëndrimit të Presidentit të Republikës depozituar që prej datës 1 korrik 2021, në faqen 118, e në vijim të tij. Komisioni hetimor nuk mund të ngrihej kurrsesi, pasi nuk ekzistonte asnjë shkelje e Kushtetutës, por thjesht dhe vetëm pretendime propagandistike të mazhorancës në Kuvend.

Si ka ndërhyrë Kuvendi nëpërmjet komisionit në kompetencat e Presidentit? 

Përgjigje: Referojuni qëndrimit të Presidentit të Republikës depozituar që prej datës 1 korrik 2021, në faqen 130- 140, si dhe përgjigjes së dhënë për pyetjen e parë të Kryetares së Gjykatës, znj. Tusha.

Si e mbështesni pretendimin se komisioni nuk mund të ngrihej pasi i mungonte objekti? 

Përgjigje: Komisioni nuk kishte materie për të hetuar, por kishte vetëm objektiva dhe qëllime politike, për të vënë nën presion dhe shantazh, si dhe për të imponuar vullnetin e tij në veprimtarinë e Presidentit të Republikës. Kësisoj, vetë Komisioni e gjithë veprimtaria e tij u ngrit e u zhvillua mbi një shkelje flagrante në drejtim të raportit të pavarësisë së plotë të funksionimit të institucioneve në shtetin shqiptar.

Pergjigjet i gjeni KETU

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re