Një 38-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij rreth orës 22:00 të së mërkurës në qytetin e Elbasanit. Vdekja e papritur dhe e mistershme e tij është zbuluar pasi i vëllai i tij kërkoi ndihmën e policisë, ndërsa prej pasdites 38-vjeçari nuk i përgjigjej në telefon edhe pse zilja binte.

I shqetësuar ai fillimisht ka shkuar te apartamenti dhe ka trokitur gjatë, por dera nuk është hapur, ndërsa nga brenda dëgjohej zilja e telefonit celular të tij kur i bënin thirrje. Në këtë situatë i vëllai i tij i shqetësuar për fatin e 38-vjeçarit është detyruar të kërkojë ndihmën e policisë e cila ka mbërritur menjëherë te hyrja e apartamentit.

Por duke u ndodhur para pamundësisë për t’u futur në banesë policia ka kërkuar ndihmën e PMNZSH. Punonjësit e shërbimit zjarrfikës kanë arritur hapjen e derës dhe policia ka konstatuar se 38-vjeçari i identifikuar si Leonard Murrizi banor i lagjes “Çlirimi” ishte pa sheja jete.

Trupi i tij është dërguar në morgun e qendrës spitalore të Elbasanit për t’i bërë autopsinë për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Policia lokale nuk bëri me dije detaje rreth dyshimeve paraprake të vdekjes së 38-vjeçarit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re