Kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli u shpreh se rritja e rasteve ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.

Pas vlerësimit të situatës aktuale, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ketë kthim mbrapa, duke e vlerësuar situatën si të qëndrueshme, por për më shumë siguri, u vendos shtyrja e hapjes së transporti publik për së paku një javë, si aktivitet me rrezikshmëri të lartë.

Kujtojmë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dha
5 ditë më parë lajmin për rinisjen e transportit publik, i cili është ndërprerë prej tre muajsh, për shkak të përhapjes së koronavirusit. Ministria njoftoi se duke filluar nga 15 qershori do të riniste punën transporti publik.
Por gjatë këtyre ditëve ka patur protesta të shumta nga ana e shoqatës së transportit e cila është shprehur se nëse qeveria nuk i plotëson kërkesat, ata nuk nisin punën.

Shoqata e transportit kërkon që që të hiqet akciza për naftës dhe taksave për karburantin si sektori i peshkimit, të ulet TVSH-ja nga 2% në 0% për këtë vit dhe më pas në vitin e ardhshëm të jetë 6%. Po ashtu ata kërkojnë rimbursimin e kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese por edhe rimbursimin në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport falas.

Deklarata e plotë Prof. Mira Rakacolli:

Kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve
Siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.

Gjithsësi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situtën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar.

Sa më sipër, kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike.

Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm ti zbatojmë ato, të ruajmë njëri- tjerin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjenën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut.

Ne do të vijojmë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intesivisht nëpërmjët inspektorëve të Task-Forcës kundër COVID19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, por nevojitet akoma me shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët. Të vijojmë të kemi të njëjtën përgjegjësi sin ë fazën e parë, në mënyrë që edhe këtë fazë, ta kalojmë po me aq sukses.(M.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re