Skip to content

LAJM I FUNDIT/ Protestuesit sulmojnë me gurë makinën e policisë, thyejnë xhamat e mjetit ndërkohë që efektivi është brenda

Protestuesit kanë sulmuar një makinë të policisë, e cila ishte e parkuar në bulevardin përpara kryeministrisë. Agjenti policor ishte brenda makinës, ndërkohë që të rinjtë kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta automjetin.

Efektivi ka ngritur duart lart në shenjë të mos bërjes rezistencë apo reagim ndaj këtij sulmi. Në momentin që ai ka gjetur hapësirë e nevojshme për të lëvizur makinën, është larguar për t’ishpëtuar sulmit.

Protesta ka filluar që prej orës 16:30 dhe është shoqëruar me tensione të shumta mes efektivëve policor dhe të rinjve, të cilët tentuan disa herë të mësynin në ambientet e kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme. Si pasojë e konfrontimit fizik kanë mbetur të plagosur disa efektiv dhe protestues, mes tyre dhe një gazetar.

Protesta e sotme u thirr nga shumë qytetarë dhe aktorë të shoqërisë civile për të protestuar pas vrasjes nga policia të të riut Klodian Rasha mëngjesin e djeshëm.

Një efektiv policie e qëlloi për vdekje 25-vjeçarin 50 metra larg oborrit të shtëpisë së tij, pasi i riu nuk iu përgjigj thirrjeve për të ndaluar. Rasha gjeti vdekjen nga 2 plumba pas shpine, teksa përpiqej të largohej me shpejtësi, ndërsa efektivi që kreu vrasjen u arrestua në orët e mëvonshme. Në deklaratën që ai dha para SHÇBA u shpreh se ‘iu duk se i riu kishte armë’.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, ndërsa hedhin vazhdimisht parulla kundër qeverisë.

/faxweb