Është shkarkuar nga detyra gjyqtari i Shkodrës Albano Çepele.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi mungesë burimesh për blerjen e një apartamenti, dyshime për veprime korruptive dhe probleme me profesionalizmin.

Problem edhe gjendja shëndetësore, pasi gjyqtari Çepele vuan nga një sëmundje që i vështirëson aktivitetin fizik.

Albano Çepele e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 në Gjykatën e Tropojës dhe ka punuar më së shumti si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në prill të vitit 2014, Çepele u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas një inspektimi që zbuloi shkelje të ligjit dhe 34 çështje gjyqësore të zvarritura. Çepele u rikthye në detyrë në vitin 2016, pasi një vendim i Gjykatës së Lartë e konsideroi të paligjshëm shkarkimin e tij.

Gjyqtari Albano Çepele shfaqte vështirësi në ecje dhe u paraqit në seancë së bashku me një përfaqësues ligjor. Ai bëri me dije se vuante nga skleroza multiple. Çepele pohoi në fillim të seancës se ishte në dijeni të gjetjeve të KPK-së, pasi ishte njohur nëpërmjet pyetësorëve.

Relatorja Bungo tha se subjekti nuk ka qenë plotësisht bashkëpunues, pasi ka refezuar të japë deklarime për çështje të caktuara, duke përmendur mungesën e sqarimeve për vlerën e mobilimit të shtëpisë. Sipas relatores, nuk ishte pasqyruar burimi i krijimit për një apartament me sipërfaqe 86.8 m2 blerë në vitin 2006 në Tiranë në shumën e 30 mijë eurove.

Komisioni konstaton mungesë dokumentacioni ligjor për të justifikuar burimin e vlerës 30 mijë euro të dhënë hua nga motra e subjektit për blerjen e apartamentit. Gjithashtu u evidentua se Çepele kishte kryer deklarime kontradiktore lidhur me çmimin e ulët të apartamentit.

Bungo tha se subjekti nuk ka deklaruar pronësinë e një apartamenti në qytetin e Fierit, të përfituar nga privatizimi dhe se nuk ka provuar burimin e ligjshëm të vlerës 9300 eurove të dhëna nga motra për kurimin e nënës së tyre. Sipas relatores, nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në vitin 2005, për të cilën subjekti nuk ka dhënë shpjegim pas kalimit të barrës së provës.

Përfaqësuesi ligjor i gjyqtarit Çepele tha në seancë se klienti i tij nuk mund të gjendej fajtor për mosdeklarimin apo mungesën e dokumentacionit për apartamentin në Fier, për të cilën tha se i ati i gjyqtarit e kishte shitur në vitin 1996.

“Babai e ka shitur nën presionin e dhunës në vitin 1996 dhe nuk ka asnjë dokumentacion që e disponon. Noterja nuk ndodhet në Fier, ndërsa personi që e ka blerë nuk ekziston dhe në atë apartament jetojnë disa persona që nuk kanë as kontratë qiraje dhe asgjë,” tha avokati i Çepeles, duke e përjashtuar klientin e tij nga veprimet me këtë pasuri.

Për apartamentin në Tiranë, avokati mbrojtës pohoi se Çepele kishte depozituar kontratën e huamarrjes me motrën për të vërtetuar burimin e ligjshëm, që sipas tij e kishte pasqyruar në deklaratën vjetore dhe në atë veting, në rubrikën e interesave private.

“Përsa i takon pagesës së vlerës 9300 euro nga motra në favor të prindërve, për kurimin e nënës, subjekti i rivlerësimit nuk ka asnjë detyrim të japë llogari,” pohoi mbrojtësi i gjyqtarit Çepele.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar në KPK raport negativ për Çepelen. Bungo tha se subjekti i rivlerësimit nuk kishte deklaruar një procedim penal në ngarkim të tij, gjë që e bënte deklarimin për pastërtinë e figurës të pasaktë.

DSIK i ka përcjellë Komisionit edhe dyshime për përfshirje të gjyqtarit Çepele në veprime korruptive gjatë periudhës 2004-2020 për çështje pronësie të gjykuara prej tij në Gjykatën e Shkodrës, pasi një nga palët dyshohet se ka përfituar prona duke përdorur dokumente të falsifikuara. Sipas KPK-së, një nga palët ndërgjyëse, duke përdorur dokumente të falsifikuara ka tjetërsuar pronën shtetërore me anë të vendimit të gjykatës.

“Nisur nga informacionet dhe hetimi i gjithanshëm dhe i plotë i Komisionit u krijua bindja për vërtetësinë e informacioneve”, tha Bungo. Ajo sqaroi se subjekti ishte pyetur nëse ishte përfshirë në veprime korruptive për tjetërsimin e pronës publike me dokumente të falsifikuara, por ai nuk kishte dhënë asnjë përgjigje.

Komisioni konstaton probleme edhe në kriterin e aftësive profesionale. Në seancë u tha se në vendimet e marra prej gjyqtarit Çepele jo gjithmonë identifikohet norma ligjore e zbatueshme; nuk përcaktohen drejt palët ndërgjyqëse në proces; se vendimet gjyqësore janë të parsyetuara në shumicën e rasteve; nuk i kushtohet rëndësi normës ligjore; se nuk ka analizë të fakteve e provave, si dhe të pretendimeve të palëve.

Bungo u shpreh se në shumë raste ka tejkalime të afatit për zbardhjen e vendimeve. Sipas Komisionit, për periudhën 2014-2016, gjysma e vendimeve janë zbardhur me vonesë.

“Janë marrë në konsideratë edhe raportet për arsye shëndetësore, por sërish rezulton se nuk janë zbatuar afatet e zbardhjes së vendimeve. …Edhe pas tërheqjes së vëmendjes nga KLD nuk i ka respektuar afatet e zbardhjes”, tha Bungo.

Relatorja Bungo bëri me dije në seancë se gjyqtari Çepele ka qenë i shkarkuar në vitin 2014 nga ish-KLD, por me vendim të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë është rikthyer në detyrë në vitin 2016.

“Komisioni konstaton gabime thelbësore që tregojnë mungesë të aftësive profesionale dhe se është i papërshtatshëm, pasi ka treguar gjykim te dobët dhe nuk eshtë efektiv”, tha Bungo.

Në fjalën e tij, gjyqtari Albano Çepele deklaroi se vonesat në zbardhjen e vendimeve kishin ndodhur për shkak se në atë periudhë e kishin larguar nga detyra. Ai shtoi se kishte pasur shumë ngarkesë, si edhe arsye shëndetësore.

Avokati i tij theksoi se gjyqtari Albano Çepele ka aftësi shëndetësore të kufizuara dhe se infrastruktura e gjykatave nuk është e përshtatur për personat me afësi të kufizuara. “Ai ka vështirësi për të lëvizur. Kjo ka të bëjë me gjendjen e tij të rënduar shëndetësore dhe nuk ka pasur lehtësitë e nevojshme për të komunikuar me Komisionin,” u ankua avokati.

Lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës, avokati i Çepeles tha se në asnjë rast subjekti i vlerësimit nuk rezultonte të kishte pasur lidhje me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Për çështjet e relatuara nga Komisioni në seancë, ai sqaroi se ishin kryer hetime dhe përgjime, por se Çepele nuk kishte rezultuar i përfshirë në veprime korruptive ashtu si pretendohet në raportin e DSIK.

Ai solli në vëmendje se Çepele e kishte ushtruar detyrën në përputhje me kushtet shëndetësore dhe kushtet infrastrukturore të gjykatës dhe se duhej të ishte kryer një hetim më i plotë nga ana e KPK.

“Edhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë shprehen se duhet të hetohet nëse shkeljet procedurale kanë ardhur si pasojë e sëmundjes apo për shkak të veprimeve. Kjo nuk është hetuar as nga KLD dhe as nga KPK,” tha avokati i Çepeles.

Relatorja Bungo e cilësoi hetimin e Komisionit më të thellë nga sa duhej.

“E kemi pyetur subjektin cilat janë shpenzimet shëndetësore dhe se si i financon. Ai ka thënë se nuk ka shpenzime shëndetësore. Me deduksion logjik rezulton se gëzon shëndet të plotë,” tha Bungo në seancë.

Gjyqtari Çepele shpjegoi se ishte shtruar për kurim në spital shtetëror dhe se aty nuk paguante ndonjë detyrim financiar. Sipas subjektit, kur i ishin nevojitur ilaçe që nuk gjendeshin në Shqipëri, ia kishin dërguar të afërmit nga jashtë shtetit.

Bungo vuri në dukje se nuk mund të trajtonin gjendjen shëndetësore.

“Ne jemi këtu për rivlerësimin e subjektit. Ne i njohim të drejtat e njeriut dhe nuk mund të diskriminojmë,” tha Bungo dhe shtoi se gjendja shëndetësore do të verifikohej vetëm nëse do të bëhej pengesë për kryerjen e funksionit të gjyqtarit.

I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar Ferdinando Buatier lidhur me vlerën e suportit financiar për barnat që i ishin dërguar nga jashtë shtetit, Çepele sqaroi se në fillimet e sëmundjes ishte nevojitur të kryente egaziminime të specializuara jashtë Shqipërisë, pasi nuk realizoheshin në vend.

“Kam vuajtur që i vogël nga zemra. Më pas pas kam vuajtur edhe nga skleroza multiple. Të zbulohej kjo sëmundje duhej patjetër rezonanca manjetike. Në Shqipëri nuk kishte dhe shkuam në Turqi, ku rezultoi se kisha këtë sëmundje. Në raste krizash marr doza të larta kortizoni dhe reagonte shumë mirë ky mjekim. Atëherë vinte nga jashtë kortizoni, pasi nuk ka pasur në Shqipëri,” u përgjigj ai.

Në fund të seancës, Çepele e konsideroi vlerësimin e Komisionit të pasaktë.

“Kam qenë gjithmonë i drejtë dhe i saktë, nuk e kam shkelur asnjëherë ligjin dhe kërkoj konfirmimin në detyrën e gjyqtarit,” tha ai.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re