Postimi i plotë i IKMT-së sqarim për banorët e Unzës së Re dhe gjithë qytetarët

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në sqarim të publikut, në respekt të punës së vet dhe në shërbim të drejtësisë kërkon të qartësojë disa prononcime qytetarësh ne zonën e Unazës së Re (zona Astir), te cilët akuzojnë IKMT për marrje rryshfeti. Reagimi ynë nuk ka të bëjë aspak me qëndrimet e qarta politike të intervistave, por vetëm me akuzat krejtësisht të pabaza në adresë të IKMT. Janë akuza pa emra, pa fakte, pa denoncime ligjore, vetëm mediatike, që synojnë baltosjen dhe krijimin e tymnajës së thashethemeve përreth një institucioni.

Pikë së pari, IKMT fton këdo qytetar, me emër, apo anonim, të denoncojë në organet përkatëse, në media, apo dhe në IKMT, personat që u kanë kërkuar rryshfet dhe secili të mbajë përgjegjësitë e tij sipas ligjit. Por IKMT vëren me keqardhje, se punën e saj ndonjëherë edhe mbi mundësitë, jashtë orareve, vetëm për të hapur sa më shpejtë kantieret e projekteve të reja të qeverisë për vendin dhe qytetarët, përpiqen ta përdhosin me akuza të neveritshme, për të mos thënë të porositura. Te tilla quajmë fjalët e një zonje në media, e cila përmendte shifra “të korrupsionit”, por pa dhënë ndonjë fakt, përveç fjalëve.

Zonja përmendi edhe emrin e drejtorit të Tiranës në IKMT, si personi që i ka komunikuar se duhet të lirojë shtëpinë, por në lëmshin e fjalëve pa krye e pa trup, mund të aludohej kollaj siç edhe ndodhi nga mediat, se zyrtarët i paskëshin kërkuar shpërblim për mosprishjen e shtëpisë. Më poshtë keni dokumentin e sotëm të kallëzimit penal nga drejtori i Tiranës në IKMT, si dhe vendimin e Këshillit të Ministrave për prishjen e objektit që zonja pretendonte se mund të qëndronte në këmbë nëpërmjet rryshfetit.

IKMT siguron qytetarët se puna e saj voluminoze, në gjithë Shqipërinë, në tetë vite me rradhë, nuk mund të përlyhet e as nëpërkëmbet nga askush, qofshin këta qytetarë të prekur nga punët publike, apo qytetarë të instruktuar nga dëshira a premtime politike.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re