Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “ATOS”. Operacioni nga Policia e Shtetit, Policia belge dhe ajo gjermane. Operacioni u zhvillua prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë.
Operacioni i nisur prej vitit 2018 nga strukturat hetimore antidrogë të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda (në vijim deri në finalizim nga SPAK-u).
Gjatë vitit 2018, antidroga e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë gjermane ka zhvilluar operacionin policor të koduar “Paraguaj”, si rezultat i të cilit është sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe janë vënë në pranga 10 shtetas shqiptarë.
Më pas, operacioni ka vijuar duke u thelluar hetimet, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.
Si rezultat i hetimeve të përbashkëta u bë i mundur identifikimi i krerëve të këtij grupi dhe në këtë kuadër, prej datës 15 dhjetor deri në datën 21 dhjetor 2020, u organizua dhe finalizua operacioni i përbashkët antidrogë i koduar “ATOS”, në kuadër të të cilit u kapën në Belgjikë dhe u vunë në pranga, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, shtetasit:
M. Gj., 34 vjeç dhe G. B. alias F. B., 37 vjeç, banues në Tiranë; R. Rr., 27 vjeç dhe F. Rr., 24 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë; B. P., 29 vjeç, banues në Pukë; F. Xh., 33 vjeç, banues në Laç; K. N. (shtetas lituanez) dhe S. C. (shtetas grek).
Si dhe shtetasi F. Gj., për të cilin, pas arrestimit, Gjykata ka vendosur gjykimin në gjendje të lirë.
Në kuadër të operacionit “ATOS”, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020 janë sekuestruar nga Policia belge, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, rreth 232 kilogramë kokainë, një armë zjarri pistoletë, si dhe rreth 200 mijë euro.
Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontenierët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontenierëve.
Pasi kontenierët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.
Në këtë megaoperacion, për ushtrimin e kontrolleve në banesat e të arrestuarve u përfshinë strukturat hetimore të antidrogës në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Shkodër e Lezhë, nën drejtimin e SPAK-ut.
Gjithashtu, një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale kanë zhvilluar në Gjermani dhe në Belgjikë, takime të përbashkëta më homologët, për të koordinuar veprimet që çuan në goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal.
Njëkohësisht, nën drejtimin SPAK-ut, për shtetasit shqiptarë të arrestuar gjatë operacionit ka filluar hetimi pasuror.
Ky megaoperacion tregoi edhe njëherë profesionalizmin e strukturave hetimore të Policisë, besimin e partnerëve te Policia e Shtetit për të hetuar dhe goditur këtë grup të strukturuar kriminal, si dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar me partnerët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmi
/faxweb