Skip to content

Lajm i mirë/ Pagesat e administrimit të pallateve bëhen tituj ekzekutivë

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Tarifat e administrimit në pallate do të jenë tituj ekzekutivë duke lehtësuar kështu mbledhjen e tyre.

Disa ndryshime të bëra në ligjin për “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” parashikojnë mes të tjerash edhe shtimin e një pike që lidhet pikërisht me këtë aspekt.

Në shpjegimin që bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për që është edhe propozuese e këtyre ndryshimeve thuhet se në tërësi ligji sjell futjen e koncepteve të reja që në ligjin ekzistues mungojnë. Të tilla janë ato të administrimit të komplekseve me vila përveç pallateve që tashmë është në funksion.

“Është vlerësuar që në përkufizimet e këtij ligji të shtohet edhe nocioni për komplekset e banimit, si dhe të rregullohet mënyra e administrimit të këtyre objekteve. Në këtë mënyrë, do të shmangen problematikat që janë hasur, me qëllim rregullimin e marrëdhënieve të bashkëpronësisë në këto objekte banimi.

Gjithashtu janë bërë ndryshime, të tilla si:

–          Saktësimi i konceptit të asamblesë së bashkëpronarëve, me qëllim evitimin e situatave të paqarta të verifikuara në praktikë, ku në një ndërtesë janë krijuar disa asamble bashkëpronarësh, bazuar në hapësirat ligjore të  lejuara nga neni 2, pika 4 e ligjit aktual;–

–          Saktësimi se pronarët mund të marrin pjesë personalisht në mbledhjet e asamblesë apo të autorizojnë një përfaqësues të autorizuar dhe kjo për të mos pasur pengesa në formimin e kuorumit;

–          Përcaktimi se vendimi i asamblesë së bashkëpronarëve mbi tarifën e administrimit është titull ekzekutiv. Kjo bëhet me qëllim lehtësimin e vendimmarrjes për procedura që kërkojnë të ndiqen me shpejtësi dhe efikasitet gjatë punës së përditshme të cilat me ligjin aktual kanë qenë penalizuese;

–          Parashikimi i rregullimit ligjor për ndërtesat që paraqesin rrezik shembjeje;

–          Heqja e emërtimeve që nuk janë në përdorim, të tilla ti “komuna”, “inspektorati ndërtimor dhe urbanistik” etj.

 

* Ekzekutimi i detyrueshëm mund të bëhet vetëm në bazë të një titulli ekzekutiv.

Janë tituj ekzekutivë:

a) vendimet civile të formës së prerë të gjykatës, që përmban një detyrim, vendimet e dhëna prej saj për sigurimin e padisë, si dhe për ekzekutimin e përkohshëm;

b) vendimet penale të formës së prerë në pjesën që bëjnë fjalë për të drejta pasurore;

c) vendimet e gjykatave e të arbitrazheve të shteteve të huaja që u është dhënë fuqi sipas dispozitave përkatëse të këtij Kodi;

ç) vendimet e një gjykate arbitrazhi në Republikën e Shqipërisë;

d) aktet noteriale që përmbajnë detyrim në të holla, si dhe aktet për dhënien e kredive bankare ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare;

dh) kambialet, çeqet e letrat me urdhër që barazohen me ato;

e) aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e tyre./Revista Monitor

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë