Një tjetër pasuri e kinematografisë dhe skenës shqiptare është ndarë nga jeta.
Bëhet fjalë për Meliha Ferrën, aktoren dhe themeluesen e estradës profesioniste të Vlorës e cila me guximin, talentin dhe forcën e saj hodhi themelet e artit skenik në qytetin bregdetar.
Aktorja që sfidoi kohën ka mbyllur sytë përgjithmonë, duke lënë kështu në dhimbje familjarët, qytetarët e Vlorës, por dhe të gjithë shqiptarët të cilët ndoqën artin e saj.
“Ndahet nga jeta Meliha Ferra. Një nga themelueset e estradës profesioniste të Vlorës. Një nga aktoret e shfaqjes së parë të estradës “Kalon turjela nëpër bucela”. Një nga vajzat e para të Vlorës që theu paragjykimet e kohës duke u aktivizuar dhe luajtur në skenën e teatrit të qytetit. Meliha Ferra ishte bashkëshortja e aktorit të njohur të humorit, Myqerem Ferra, duke krijuar së bashku një çift simpatik për publikun vlonjat. Vlora humbi sot një figurë ikonike të historisë së saj, artistike e qytetare”, shkruan gazetari Ergys Alushi.