Tirana, si qendër ekonomike e vendit, tërheq çdo vit qindra të huaj, të cilët vijnë kryesisht për punë. Të huajt në Tiranë janë ndër target-grupet e rëndësishme për tregun e pasurive të paluajtshme në vend, veçanërisht për tregun e qirave.

Kërkesat e tyre ndaj tregut të pasurive të paluajtshme përcaktojnë shpeshherë edhe nivelin e çmimeve të qirave në zonat kryesore të kryeqytetit. Sipas të dhënave zyrtare nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, në vitin 2016, në Tiranë kishte 495 të huaj, të cilët u pajisën me leje punësimi në vend.

Për këtë arsye, EUROSTAT publikon një anketë të veçantë të përvitshme për tregun e qirave, me qëllim krahasimin me Brukselin, raport që kryesisht vihet në përdorim të të huajve që zgjedhin të punojnë jashtë vendit të tyre.

Çmimet, rriten për apartamentet e vogla, bien për vilat

Gjatë 2017-s, çmimet mesatare për apartamentet 1+1 u rritën nga 330 në 350 euro për metër katror, me një rritje në vlerë absolute prej 20 eurosh.Rritje të çmimit mesatar gjatë 2017-s kishte dhe për apartamentet 2+1. Sipas të dhënave të grumbulluara gjatë 2017-s, çmimet ishin 520 euro, nga 510 euro që ishin një vit më parë, me një diferencë prej 10 eurosh.

Në ndryshim nga banesat me sipërfaqe të vogël, hapësirat e banimit me sipërfaqe më të madhe kanë pësuar rënie. Sipas të dhënave të Anketës së Eurostat, çmimet e qirave për apartamente 3+1 kanë rënë me rreth 10 euro. Rënien më të madhe e kanë pësuar vilat, apo shtëpitë private. Në 2017-n, qiratë mesatare mujore për vilat ishin 1350, rreth 100 euro më pak se viti 2016.

Duke krahasuar të dhënat e Eurostat në vite për apartamentet 3+1, 2+1, 1+1 dhe vilat për periudhën 2012-2017, çmimet më të ulëta për vilat kanë qenë në 2014-n. Ndërsa qiratë e apartamenteve kanë pasur çmimet më të ulëta në 2013-n, ku çmimet sipas llojeve ishin për 1+1 330 euro, për 2+1, 500 euro, dhe për 3+1, 660 euro. Në total, çmimet e qirave për apartamentet janë rritur me 2%, ndërsa çmimet mesatare të vilave për qira kanë pësuar rënie prej 7%. / Marrë me shkurtime nga Monitor.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re