Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-deputeti demokrat Gerti Bogdani.
Berisha tha se është një lajm shokues, si rrufe në qiell të hapur, teksa shtoi se dy ditë më parë e kishte ndjekur në një intervistë në televizion.
Ndër të tjera kreu demokrat, tha se është një humbje e madhe për PD-në dhe gjithë shoqërinë, duke e kujtuar Bogdanin si një personalitet.
LEXO EDHE: “Kam probleme me frymëmarrjen”- Detaje nga vdekja e Gerti Bogdanit! Po pinte kafe me miqtë në hotel, kur shfaqi shqetësimet! Miqtë e tij hapën me forcë derën e tualetit dhe…
Berisha, i cili ishte në konferencë me gazetarët në momentet që mori vesh lajmin e rëndë, kërkoi një minutë heshtje në nderim të kujtimit të tij, ndërsa kërkoi dhe mbylljen e konferencës.
“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do mbetet në memorien time njëri nga personalitetet e reja të PD-së ,më të njohura, më të shquara, ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim, me përgatitjen, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë.
Kjo është një humbje e madhe, për PD-në, por është një humbje e vërtetë ër shoqërinë Shqiptare. Bogadani ishte nga ata të rinj pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillim me PD-në, i shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA.
Ky lajm shokues për mua dhe çdo demokrat, por dhe çdo qytetar që e ka njohur, më erdhi në këtë moment si rrufe në qiell të hapur.
Dy netë më parë e kam ndjekur në një studio televizive, mendoj se në rast se ka një njeri që njoh unë i cili te cdo qytetar e mik e shok, ka lënë vetëm përshtypje pozitive në çdo takim, në çdo komunikim. Ky është Geri Bogdani. Ju ftoj të ngrohemi dhe nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar të PD-së”, tha Berisha.
Si ndodhi vdekja e Gerti Bogdanit
Gerti Bogdani dyshohet se ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak. Ai ka qenë duke konsumuar kafe në ambientet e hotelit Rogner në Tiranë, kur ka shfaqur shqetësime.
“Kam probleme me frymëmarrjen”, iu është drejtuar ai miqve të tij, me të cilët po pinte kafen dhe është larguar për në tualet.
Por pasi është vonuar, miqtë e tij të shqetësuar shkuan në tualet dhe kanë hapur derën me forcë.
Ata e kanë gjetur ish-deputetin e PD-së të shtrirë përtokë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.
Më pas kanë lajmëruar ambulancën, por sipas dëshmitarëve është vonuar. Gerti Bogdani ka marrë ndihmën e parë mjekësore në ambulancë dhe më pas në QSUT, por nuk arriti që të mbijetojë.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 18.09.2024, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është gjetur pa ndjenja shtetasi G. B., 45 vjeç. Ky shtetas është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por ka ndërruar jetë.
Nga veprimet e kryera paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.