Institucioni i xhamisë, si frymëzues i vetëdijes së shoqërive..!

Është mëse normale që të kërkohet lirimi i hapjes së xhamive, qoftë edhe me protokolle të caktuara, në shërbim të shëndetit dhe sigurisë, aq më tepër në kushtet e sotme, kur dalëngadalë, gjithandej nëpër botë po merren masa të tilla.

Nëse kjo ndodh, do të thotë se ka akoma shpresë e begati në shoqërinë tonë! Do të thotë se, dikujt i dhemb zemra për një të drejtë legjitime, nga e cila jemi privuar gjithandej nëpër botë, për shkaqe që janë bërë të ditura dhe të cilat janë pranuar nga elitat tona, duke dhënë udhëzimet e duhura, krejtësisht të drejta e të urta në raport me situatën kaotike të ditëve të para të panikut global.

Roli i institucionit të xhamisë, historikisht ka qenë vendimtar për të rrezatuar modele dhe shembuj, që edhe në rastin e pandemisë Covid 19 ka qenë në pozitat e udhëzuesit të urtë, pas udhëzimeve të cilit, shoqëria ka reaguar me pjekuri dhe bindje. Historikisht institucioni i xhamisë ka qenë frymëzues i vetëdijes së shoqërive, sikurse prej aty kanë nisur edhe lëvizje të mëdha, që kanë rregulluar jo pak herë edhe ekuilibra të prishur në shoqëri!

Fakti që vende me numra të frikshëm në përballjen e tyre me pandeminë, kanë deklaruar lehtësime në qarkullimin dhe lirinë e njerëzve për t’iu kthyer jetës normale, përfshi edhe frekuentimin e objekteve fetare, e forcon edhe më shumë këtë kërkesë të natyrshme nga çdo besimtar.

Nga ana tjetër, nuk është aspak normale që të dëgjojmë dokëdo të flasë për moshapjen e objekteve të besimit, njëkohë që masat liruese po nisin edhe me hapjen e lokaleve.

Pa asnjë dyshim, duhet të dihet se është Ramazan dhe Ramazani ka shenjtëri! Nuk ka logjikë, as mund të pranohet që në Muajin e shenjtë të mbarë botës islame, të lajmërohet hapja e lokaleve, por njëkohësisht të lajmërohet se nuk ka ndonjë plan për hapjen e objekteve të besimit, se përbëkan rrezikshmëri të lartë!?

Ne nuk do të përballemi me mullinjtë e erës së dokujtdo, por njëkohësisht është morale, fetare e kombëtare të mos pranojmë që më të disiplinuarit me gjendjen e pandemisë dhe rregullat e saj të mos kenë trajtim në këtë fazë të masave liruese!

Dikush duhet të mendojë pak më thellë e më me qetësi, sikurse do të ishte dinjitoze që në këtë Muaj të Begatë, të na kursehen deklaratat që nuk peshojnë asnjë gram në peshoret e logjikës dhe dinjitetit fetar e kombëtar!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 3 maj 2020