Efektivi i policisë Aldo Braholli është vënë në prangat e kolegëve të tij në Korçë, pasi ka tentuar të vrasë një person me armën e shërbimit. Ngjarja sipas Agjensisë së Mbikqyrjes policore ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

Njoftimi i AMP-së:

Korçë – Drejtoria Rajonale e AMP Korçë arrestoi në flagrancë më datë 29.04.2022 punonjësin e policisë, Inspektor A.B., me detyrë trup shërbimi në Pikën e Kalimit Kufitar Goricë, si i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë.

Arrestimi i punonjësit të policisë u krye, pasi më datë 28.04.2022, në gjendje të dehur dhe jashtë detyrës funksionale, është përfshirë në konflikt për motive të dobëta me shtetasin B. D., të cilin ka tentuar ta qëllojë me armën e zjarrit pistoletë, të cilin e disponon si punonjës policie.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në momentin që punonjësi i policisë i ka drejtuar armën e shërbimit shtetasit B. D., ky i fundit ka mundur ta ndalojë duke i marrë armën nga dora, të cilën më pas e ka dorëzuar pranë shërbimeve të policisë.

Ndaj punonjësit të policisë janë referuar materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 dhe 22 të Kodit Penal.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re