Një tjetër tërmet është regjistruar pak minuta më parë në vendin tonë, rreth orës 00:23

Sipas EMSC, tërmeti ishte me magnitudë 4.4, me epiqendër 15 km në jug-perëndim të Mamurrasit dhe 32 km në veri-perëndim të Tiranës.

Vatra e tërmetit ka qenë me thellësi 10 km, ndërsa lëkundjet që zgjatën 3-4 sekonda janë ndjerë edhe në Durrës e Tiranë.

 

 

—————————————————————————————————-

C’duhet të dini në rast tërmeti? Si duhet të veprojnë njerëzit në një situatë të tillë?

Çfarë duhet të bëni gjatë një tërmeti:

– Mundohuni të ruani qetësinë! Nëse jeni në mjedise të mbyllura qëndroni aty, nëse jeni jashtë qëndroni sërish jashtë.

Është krijuar një ide e gabuar se të vrapuarit jashtë ndërtesës është një veprim i sigurt, mirëpo lëvizja gjatë kohës së tërmetit mund të rezultojë fatale.

Ndaj më mirë zvarrituni nën mobilje të forta (për shembull tavolinë) dhe qëndroni aty derisa lëkundjet të përfundojnë.

Më pas vraponi për në një ambient më të sigurt.

Nëse jeni jashtë, qëndroni larg linjave të energjisë elektrike, larg ndërtesave, pemëve dhe gjërave që mund të bien.

– Mos përdorni shkrepëse, qirinj apo formë tjetër zjarri.

– Nëse jeni në makinë, ndaloni menjëherë dhe qëndroni brenda saj derisa tërmeti të ndalojë.

Mos përdorni ashensorët, pasi në shumicën e rasteve bllokohen.

Çfarë duhet të bëni pas tërmetit:

– Kontrolloni ujin, gazin dhe linjat elektrike nëse janë dëmtuar dhe në rast se vini re diçka të çuditshme, mbyllini menjëherë.

Nëse nuhasni erën e gazit, hapni dritaret dhe dyert dhe njoftoni autoritetet.

– Qëndroni larg ndërtesave të dëmtuara, larg dritareve dhe xhamave (sepse mund të përsëriten lëkundjet).

– Kini kujdes nga oxhaqet!

– Qëndroni larg zonave të plazhit pasi lëvizjet tektonike mund të shkaktojnë valë të gjata dhe të rrëmbyeshme.