Kompania “Lajthiza” ka vënë në funksion linjën e parë në Europë dhe në botë për paketimin e ujit në shishe prej 5 litrash, me kapacitet prej 12 mijë shishesh në orë.

Kjo e klasifikon Lajthizën, mes kompanive më moderne të industrisë së ujit. Me këtë investim, kompania vendos një rekord të ri në rajon, ndërsa arrin një kapacitet mbushjeje prej mbi 2 milion litra ujë në 24 orë.

Linja e re është e prodhuar nga gjigandi gjerman i teknologjisë KRONES, me të cilin Lajthiza ka një bashkëpunim të hershëm.

“Që nga viti 2008 Kompania “Lajthiza” ka filluar bashkëpunimin me kompaninë gjermane “Krones” dhe çdo dy vite ka investuar në linja te reja. tashmë është në funksion edhe linja më e re e prodhuar nga KRONES, me teknologjinë më të avancuar ErgoBloc. Ky sistem inovativ integron fryrjen, mbushjen, etiketimin dhe mbylljen e shisheve në një proces të vetëm, duke garantuar cilësi të shkëlqyer, efikasitet dhe kursim të energjisë”, tha përfaqësuesi i kompanisë Krones, Cristian Nicolae.

Rritja e kërkesës nga konsumatori ka sjellë zgjerimin e kapaciteteve në fabrikën e Lajthizës.

“Kjo është faza e tretë e investimeve që kanë nisur para tre viteve. Investimet konsistojnë në prodhimin e pijeve freskuese, ujit me vitamina, pijeve energjike dhe lëngjeve premium, në ambalazhimet PET dhe kanace”, u shpreh administratori i Lajthiza invest.sha., Thanas Siveri.

Uji Lajthiza buron në 1600 metra lartësi, mes shkëmbinjve në malin e Roshit, në fshatin me të njëjtin emër të Fushë Arrëzit. Uji vjen direkt nga burimi, pa përdorur pompa, apo metoda te tjera trajtuese, duke shkuar plotësisht natyral tek konsumatori. Uji Lajthiza është certifikuar nga Bashkimi Europian, si produkt që plotëson standardet.

“Jemi krenare që i jemi përmbajtur kontratës tonë me konsumatorin, në lidhje me cilësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të cilat realizohen vetëm në industri të avancuara”, tha më tej ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re