Në nderim të 158 ushtarëve të KFOR-it, që humbën jetën deri sa shërbenin në Kosovë, është përura pllaka memoriale në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj, tha se sot Kosova po kujton burrat dhe gratë që shërbyen për lirinë dhe sigurinë në Kosovë në kohën më të vështirë kur gjendjen vendi ynë.

“Qeveria e Kosovës është përherë mirënjohëse për sakrificën e ushtarëve të NATO, ne jemi një popull që shprehim falënderim dhe nuk e harrojmë të kaluarën dhe duam të ardhme të sigurt”, tha Haradinaj.

Ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha tha se monumenti në fjalë është shumë pak në krahasim me rëndësinë që ushtarët e rënë të KFOR-it bënë për popullin e Kosovës.

“Me mijëra ushtarë na ndihmuan të ndalojmë gjenocidin e popullit shqiptarë dhe të ndërtojmë një Kosovë të re sovrane me mundësi të barabarta për të gjitha ne”, tha Berisha.

Ndihmës asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, John Manza, tha se KFOR-i në bazë të mandatit të tij në kuadër të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i suksesshëm në sigurimin e paqes dhe stabilitetit.

“Sekretari i përgjithshëm i NATO-s më kërkoi t’i them disa mesazhe në emër të tij. Siç e dini, NATO ka udhëhequr misione paqeruajtëse për rreth 19 vite me radhë. Sipas mandatit të tij, në bazë të rezolutës 1244, KFOR-i vazhdon të jetë i suksesshëm në këtë mision. Në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s më lejoni të theksoj falënderimin për këtë monument sot në Prishtinë”, tha Manza.

Kujtojmë se në vitin 2006, në një aksident ajror afër kufirit Hungari-Sllovaki vdiqën 42 ushtarë sllovakë derisa po ktheheshin në vendin e tyre pas shërbimit në Kosovë.

Në vitin 1999 kur lufta përfundoi, NATO kishte mbi 50 mijë paqeruajtës, ndërsa sot janë rreth 4500.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re