FaxNews ka mundur të marrë disa prononcime nga qytetarët afganë të akomoduar në konviktet e Qytetit Studenti.

Përballë kamerave ata shprehen tepër të kënaqur me kushtet dhe akomodimin e ofruar dhe theksojnë se tashmë ndodhen të sigurtë.

“Jo keq, është mirë këtu. Mendoj se do qëndrojë për rreth një javë. Kam ardhur vetëm familja ime është ende në Afganistan. Kam punuar si gazetare lokale në Afganistan dhe jam producente”, tha një e intervistuar.

Një tjetër qytetar afgan zgjodhi të falenderonte publikisht për mikpritjen dhe bëri me dije se do të qëndrojnë në Shqipëri deri në daljen e vizës amerikane.

“Këtu është shumë mirë, shërbimi që na kanë ofruar është shumë i mirë. Jemi shumë mirënjohës për mikpritjen që na keni ofruar. Do të qëndrojmë këtu deri sa të marrim vizat në ShBA. Kam ardhur me familjen time këtu. Atje kam punuar pranë një Agjensie për Mbrojtjen e Mjedisit”, u shpreh qytetari afgan.

Nga ana tjetër një djalë i ri, i cili ka ardhur vetëm pasi familjen e ka ende në Afganistan u shpreh se pas kaq kohësh ndihet në paqe dhe i sigurtë, pasi në Afganistan i dukej sikur do vritej për çfarëdolloj arsyeje.

“Ndihem shumë mirë , nuk mund ta shpreh ndjesinë. Pas kaq kohësh ndihem në paqe, ka qenë një kohë e gjatë  që kur udhëtuam në Afganistan. Na duke sikur do vriteshim për çfarëdo arsyesh, dhe këtu ndihemi mirë.

Nuk e di sa do rrimë këtu, varet nga zgjatja e procedurave për dokumentet. Unë isha IT kompjuteri, familja ime ndodhet në Afganistan”, tha një tjetër i intervistuar.

Kujtojmë se deri më tani në vendin tonë janë strehuar 457 refugjatë afganë, 121 prej të cilëve në dy rezorte hoteliere në Durrës dhe pjesa tjetër në ambientet e konvikteve të Qytet Studentit. Në total pritet të mbërrijnë në Shqipëri rreth 4 mijë shtetas afganë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re