Ndërsa vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet me qeverinë shqiptare dhe asaj të SHBA, ambasadorja amerikane Yuri Kim, komentoi në intervistën me gazetarin Sokol Balla në Real Story njoftimin e ministrisë së jashtme shqiptare lidhur me largimin e saj.

“Dhanë shpjegim. Pranojmë fjalën e tyre” tha Kim, ndërsa shtoi se vendimi i përket Presidentit sepse një ambasador është përfaqësues personal i Presidentit Amerikan.

Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Ambasadore, e bëj këtë pyetje sepse marrëdhëniet zyrtare janë më të rëndësishmet. Por nëse edhe marrëdhëniet personale janë të mira, është si bonus. Kjo ndihmon. Ju ndihmon ju. Ndihmon edhe atë në punën e tij. Por për çudi, pati një reagim pak kohë më parë pati një reagim nga Ministria e Jashtme, një informacion, një përgjigje pa një pyetje, që fliste për ju dhe kohën e largimit tuaj nga vendi. Dhe të gjithë komentuesit, analistët, të gjithë, majtas a djathtas, bien dakord që ishte të paktën gabim. Pastaj ishte Ministrja e Jashtme. Doli dhe tha se e bëmë për t’i dhënë fund thashethemeve që qarkullonin. Ma merr mendja s’ju ka pyetur njeri në publik për këtë kështu që më vjen mirë që jam unë i pari. Si ju duk juve ajo? Keni një interpretim a shpjegim? Pati edhe fjalë se shkuat në ministri dhe folët me ministren për këtë.

Ambasadorja Yuri Kim: Shiko, Ministrja e Jashtme ka qenë në atë post për ca kohë. E njohim mirë, përfshi nga koha e saj si Ministre e Mbrojtjes. Dhe kur Qeveria e Shqipërisë nxjerr një shpjegim, marrim fjalën e tyre.

Sokol Balla: Që do të thotë?

Ambasadorja Yuri Kim: Dhanë shpjegim. Pranojmë fjalën e tyre.

Sokol Balla: Pra shpjegimin pse e thonë…

Ambasadorja Yuri Kim: Pranojmë fjalën e tyre.

Sokol Balla: Pra, i besoni?

Ambasadorja Yuri Kim: Pranojmë fjalën e tyre.

Sokol Balla: Pra i besoni?

Ambasadorja Yuri Kim: Pranojmë fjalën e tyre.

Sokol Balla: Okay. Nuk po ju pyes prapë nëse i besoni, por nëse mund t’ju pyes, kur largoheni realisht sepse thatë që keni parë 70% të vendit dhe se do donit të shihnit pjesën tjetër? Sigurisht mund ta shihni edhe më vonë. Jam i sigurt që do të ktheheni në Shqipëri si vizitore. Por a do keni kohë të shihni edhe 30% të vendit përpara se të largoheni?

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk e di.

Sokol Balla: Po i vij rrotull pyetjes. Kur largoheni?

Ambasadorja Yuri Kim: Do doja ta dija. Shiko, normalisht nëse sheh mandatin e ambasadorëve të ndryshëm amerikanë që kanë qenë këtu, zakonisht jemi këtu për rreth tri vjet.  Por në fund varet nga vendimi i Presidentit sepse një ambasador është përfaqësues personal i Presidentit Amerikan. Dhe, varet edhe nga Senati ynë që duhet të konfirmojë atë që emërohet. Kështu që s’kam mënyrë për ta parashikuar. Gjithçka mund të them është se jam këtu për të bërë një detyrë në emër të vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj deri ditën e fundit. Dhe nuk e di se kur është ajo ditë e fundit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re