Ndërkohë që kampionati është në një periudhë pushimi në Berat ka lëvizje merkatoje në dalje. Mbrojtësi boshnjak Armin Mujkiç është larguar përfundimisht nga Tomori.

Futbollisti i ardhur në fillimin e sezonit në Berat u kthye shpejt në një nga pikat e referimit për Tomorin duke u evidentuar, si një ndër mbrojtësit më të mirë në kampionat. Madje gjatë janarit për të pati edhe oferta që do e transferonin nga kampionati shqiptar por ishin drejtuesit beratas që këmbëngulën për qëndrimin e tij.

Por nga ai moment edhe rendimenti i Mujkiç kishte rënë dhe duket se dëshira e tij ishte vetëm largimi nga Berati. Të dielën boshnjaku festonte ditëlindjen dhe në Berat kishin ardhur familjar të tij por duket jo vetëm për të festuar sëbashku por edhe për ta marrë me vete.

Këtë herë drejtuesit e klubit janë dorëzuar përballë kërkesës së futbollistit për largim nga Tomori duke i bërë pikërisht këtë dhuratë për ditëlindje, qendërmbrojtësit boshnjak.

Ditën e djeshme ai nuk është paraqitur në stërvitje dhe nga konfirmimet që vijnë për Berati.TV, Mujkiç është larguar përfundimisht drejt Bosnjes duke tërhequr edhe dokumentacionin nga klubi beratas./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re