Skip to content

Lavrov: Çarmatimi i Ukrainës do të vazhdojë edhe nëse nënshkruajmë marrëveshjen e paqes

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov deklaroi se janë të gatshëm të negociojnë me Ukrainën, por se do të vazhdojnë operacionet sepse nuk mund të lejojnë që infrastruktura që kërcënon sigurinë e Rusisë të mbetet në Ukrainë.

Lavrov përmes video-konferencës nga Moska iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe me këtë rast theksoi se raundi i dytë i negociatave ndërmjet delegacioneve të dy vendeve do të mbahet.

“Ne jemi gati për negociata, por do të vazhdojmë me operacionin. Nuk mund të lejojmë që infrastruktura që kërcënon sigurinë e Rusisë të mbetet në Ukrainë”, tha Lavrov.

Kreu i diplomacisë ruse theksoi se qëllimi i tyre është të shkatërrojnë objektet e infrastrukturës ushtarake në Ukrainë.

“Shkatërrimi i infrastrukturës së armëve që na kërcënon, çarmatimi i Ukrainës do të vazhdojë deri në fund, edhe nëse nënshkruajmë marrëveshjen e paqes. Kjo marrëveshje duhet të përmbajë një klauzolë në këtë drejtim”, tha Lavrov.

Duke theksuar se Ukraina po ndjek një politikë drejt anëtarësimit në NATO, Lavrov tha se kjo ishte arsyeja për atë që po ndodhte në Ukrainë.

“Arsyeja e gjithçkaje që po ndodhë në Ukrainë është dëshira e vendit që të anëtarësohet në NATO dhe dëshira e NATO-s të forcojë sigurinë e saj në kurriz të vendeve tjera dhe në të njëjtën kohë të mos përmbush detyrimet e saj”, tha Lavrov dhe shtoi:

“Jam i sigurt që po bëjmë gjënë e duhur. Është keq që po vdesin njerëz. Por, unë nuk e mendoj këtë si një fiasko diplomatike, por si një aftësi diplomatike të Perëndimit”.

Duke vlerësuar pretendimet se si plani i Rusisë u “zgjerua” në kontekstin e operacionit ushtarak kundër Ukrainës, Lavrov tha: “Mendoj se nuk i dini planet e ushtrisë sonë, e cila po kryen një operacion special ushtarak me urdhër të presidentit”.

Në përgjigjen e pyetjes për të ardhmen e Ukrainës, Lavrov tha se “populli i Ukrainës, të gjithë popujt që jetojnë në një Ukrainë shumëkombëshe, duhet të vendosin se si do të jetojë Ukraina dhe kush do ta qeverisë këtë vend”.

Ai foli edhe për veprimet e SHBA-së në Evropë, ku tha: “Si Napoleoni (Bonaparta) dhe Hitleri (Adolf) dikur synonin të nënshtronin Evropën. Tani këtë po e bëjnë amerikanët”.

Më tej tha se NATO nuk është një aleancë mbrojtëse, por po përpiqet t’u tregojë të gjithëve se ajo dikton rendin në Evropë.

Duke thënë se shpreson që “histeria” e SHBA-së të kalojë, Lavrov shprehu gatishmërinë për dialog me vendet perëndimore mbi bazën e barazisë dhe respektimit të interesave.

Lavrov tha se SHBA-ja ka ngritur dy laboratorë ushtarakë biologjikë në Ukrainë dhe kanë zhvilluar patogjenë në kryeqytetin Kiev dhe në Odesa.

“Sipas informacioneve që kemi, Pentagoni është shumë i shqetësuar për fatin e objekteve kimike dhe biologjike në Ukrainë dhe se do të humbasë kontrollin mbi këta laboratorë”, tha Lavrov.

Në fund, u pyet edhe për të komentuar pretendimet për mundësinë e një lufte bërthamore.

“Flitet për mundësinë e një lufte bërthamore. Të gjithë e dinë se Lufta e Tretë Botërore mund të jetë bërthamore. Megjithatë, kjo çështje vazhdimisht sillet në mendjet e politikanëve perëndimorë, jo të rusëve. Ne nuk e themi këtë. Nuk do të lejojmë që veprimet provokuese të humbasin ekuilibrin. Nëse nis një luftë e vërtetë kundër nesh, ata që thurin plane duhet të mendojnë për këtë. Unë mendoj se ato plane po bëhen”, përfundoi Lavrov.