Franca reagon “me nervozizëm” ndaj rënies së influencës së saj në Afrikë, tha sot ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov.

Duke folur në një takim në Moskë me komisionin e partisë konservatore “Rusia e Bashkuar” për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mbështetjen për bashkatdhetarët jashtë vendit, Lavrov përshëndeti zërin në rritje të Afrikës në çështjet ndërkombëtare, duke thënë se kjo po shkakton pakënaqësi në Paris.

“Zëri solidar (i Afrikës) në çështjet botërore po tingëllon gjithnjë e më harmonikisht dhe ne mirëpresim procesin e emancipimit të mëtejshëm gjithëpërfshirës të vendeve të kontinentit”, tha kryediplomati rus.

“Kjo mund të gjurmohet nga shembulli i tkurrjes së vazhdueshme të sferës së ndikimit neokolonial të Francës në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, gjë që shkakton një reagim mjaft nervoz nga Parisi, i cili shfaq dëshirë për të mos i dhuruar askujt atë që dikur e konsideronte të veten”, tha ai.

Rusia, nga ana e saj, udhëhiqet “nga parimi i barazisë sovrane të shteteve, sipas të cilit secili prej shteteve ka të drejtë të zgjedhë partnerët e vet” kur ndërton marrëdhënie me shtetet afrikane, shtoi ai.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim kolegët tanë afrikanë në kërkesat e tyre të drejta”, tha Lavrov.

Lavrov rikujtoi se Samiti i dytë Rusi-Afrikë është planifikuar për në korrik të këtij viti dhe se Moska po punon në përgatitjet e tij.

“Forumi parlamentar ndërkombëtar me pjesëmarrjen e partnerëve afrikanë, i planifikuar për në mars në Moskë, duhet t’i japë një shtysë të konsiderueshme kësaj pune përgatitore dhe forcimit të kontakteve midis vendeve tona”, tha ministri i Jashtëm rus.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re