Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov deklaroi se janë të gatshëm për negociata me Ukrainën dhe Turqinë lidhur me problemin e drithit.

Lavrov pas Takimit të Ministrave të Jashtëm të Vendeve G20 që u mbajt në Ishullin Bali të Indonezisë duke folur për problemin e ushqimit në botë, tha se janë pro zgjidhjes së këtij problemi.

“Nga ana jonë nuk ka pengesë që ky problem të zgjidhet me përdorimin e stoqeve tona plot me drithë. Por, Perëndimi ka krijuar probleme lidhur me kufizimet e njëanshme që zbaton ndaj anijeve tona në çështjet si sigurimin, hyrjet në porte dhe pagesat për produktet ushqimore. Perëndimi nëse dëshiron shumë të nxjerrë nga portet drithin e Ukrainës në Detin e Zi, duhet të detyrojë Kievin që të pastrojë këto porte nga minat dhe të lejohen anijet të dalin nga ujërat e Ukrainës”, tha Lavrov.

Në pyetjen se “kur do të mbahen negociatat mes Rusisë, Turqisë dhe Ukrainës për drithërat”, Lavrov vuri në dukje se nuk mund të japë informacion për këtë çështje për shkak se ndodhet jashtë vendit.

“Jemi të gatshëm për negociata me kolegët tanë ukrainas dhe turq për çështjen e problemit të drithit. Për këtë çështje ka zgjidhje. Është e nevojshme që Ukraina të heqë bllokadën në portet e saj, të pastrojë portet nga minat dhe të sigurojë daljen e anijeve në mënyrë të sigurt. Rusia dhe Turqia janë të gatshme të garantojnë sigurinë për anijet jashtë ujërave të Ukrainës deri në ngushtica. Këto anije pas kësaj mund të shkojnë vetë në Mesdhe dhe të mbërrijnë në tregjet përfundimtare”, tha ai.

Sipas tij, ushtarët kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces. “Partnerët tanë perëndimorë po përpiqen të krijojnë mekanizmin ndërkombëtar të monitorimit për këtë proces vetë, pra me forcat e tyre ushtarake detare të NATO-s”, tha Lavrov.

“Johnson u izolua nga partia e tij”

Lidhur me dorëheqjen e kryeministrit britanik Boris Johnson, Lavrov tha se “Johnson para së gjithash është një person që rend pas ndikimeve të jashtme. Ai mbahej në pushtet për të rritur karrierën e tij politike. Të gjithë thonë se Rusia duhet të izolohet, por Johnson u izolua nga partia e tij”.

“Britania ka ndjekur politikë agresive kundër Rusisë në vitet e fundit dhe për këtë ka përdorur Ukrainën. Për të pasur pikëmbështetje në kontinentin evropian dhe për të çuar përpara politikën e saj, Britania u përpoq në mënyrë aktive të krijojë një aleancë të re me Poloninë, shtetet baltike dhe Ukrainën duke shpërfillur interesat e Bashkimit Evropian”, tha Lavrov.

“G20 nuk po përdoret në drejtim të qëllimeve të themelimit të saj”

Lidhur me deklaratat e disa kolegëve të tij evropianë se “nuk duan të pozojnë me Lavrovin në takimin e G20”, Lavrov tha: “Nuk kam ftuar askënd për të pozuar. Në takim i kam dëgjuar të gjithë. Kam qenë i interesuar për të kuptuar se në çfarë mënyre merr frymë Perëndimi, por është e qartë se ata nuk e përdorin G20 në drejtim të qëllimeve të themelimit të saj”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re