Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mbërriti në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, për të marrë pjesë në takimin ministror të OSBE-së, njoftuan mediat ruse.

Avioni me të cilin Lavrov mbërriti në Shkup fluturoi rreth 4000 kilometra dhe kaloi Turqinë dhe Greqinë, ndonëse fillimisht ishte planifikuar të fluturonte për në Shkup përmes Bullgarisë dhe për këtë arsye fluturimi zgjati më shumë se pesë orë, transmeton TASS.

Agjencia ruse e lajmeve raporton se pala bullgare ka refuzuar të hapë hapësirën e saj ajrore për aeroplanin e Lavrov nëse në bord është zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.

“Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe delegacionit që e shoqëron i është dhënë leje për të marrë pjesë në takimin në Shkup. Kjo leje nuk vlen për drejtoreshën e Departamentit të Informacionit dhe Shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila është në listën e sanksioneve të BE-së”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Megjithatë, ekspertët besojnë se kjo lëvizje nuk ka të bëjë me sanksionet, sepse Lavrov është gjithashtu në listën e zezë të BE-së.

Mbërritja e Blinken

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken u takua me zyrtarë të Maqedonisë së Veriut në Shkup të mërkurën, pas së cilës ai udhëtoi për në Izrael.

Blinken udhëhoqi delegacionin e Shteteve të Bashkuara në takimin ministror të OSBE-së, i cili shënon fundin e kryesimit njëvjeçar të Maqedonisë së Veriut me organizatën.

Vendi tjetër kryesues i kësaj organizate do të jetë Malta, që është një kompromis pasi Rusia dhe Bjellorusia vendosën veton ndaj Estonisë, e cila duhej të merrte postin.

Ministrat e jashtëm të Estonisë, Ukrainës dhe Letonisë anuluan pjesëmarrjen e tyre.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është pasardhëse e organizatës së themeluar në Luftën e Ftohtë si një forum për bashkëpunim midis Bashkimit Sovjetik dhe fuqive perëndimore, por tani është kryesisht e paralizuar për shkak të përdorimit të të drejtës së vetos nga Rusia, shkruan Reuters. Sipas agjencisë, misionet në terren në Ballkan dhe në Azinë Qendrore janë ende duke u kryer.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re