Lazio nuk vonoi shumë për të zyrtarizuar emrin e ri të pankinës. Ashtu sikurse ishte lajmëruar nga vetë presidenti Lotito, kroati Igoru Tudor firmosi kontratën me bardhekaltrit  që e mban të lidhur me këtë klub deri në qershor 2025 me opsion rinovimi deri ne 2026.

Punën në stërvitje me skuadrën Tudor do ta nisë zyrtarisht këtë të mërkurë kur do të zhvillohen dy séanca. Ai do të pasojë në stolin e Lazio, Mauriocio Sarrin, i cili dha dorëheqje në mënyrë të papritur pas krizës së rezultateve mes Europës dhe kampionatit sidomos.

Në fakt si për koincidencë kjo nuk është hera e parë që fatet e Sarrit dhe Tudor kryqëzohen. Në vitin 2020 ai ishte zëvendës i Andrea Pirlos, kur ky i fundit zëvendësoi Sarrin në stolin e Juventusit.

Në kampionatin italian Tudor ka drejtuar më herët Veronën e Udinesen, ndërsa aventurën e fundit e ka pasur me Olimpik Marseje në Francë. Mbetet për tu parë nëse Lazio do të ndryshojë edhe modul tashmë pasi ndryshe nga Sarri që luante me 4 mbrojtës, Tudor pëlqen linjën mbrojtëse me tre.

Objektivi i madh i 45-vjeçarit është që Lacio të kualifikohet në kupat e Europës, të cilën mund ta bëjë përmes kampionatit por edhe kupës.

Nisja e aventurës me Lazion është mjaft e vështirë pasi debutimin do ta bëjë ne kampionat me Juventusin, pastaj po me bardhezinjtë pak ditë më vonë do të luajnë në gjysmëfinalen e kupës dhe më tej në kampionat derbin me Romën./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re