LDK-ja e Isa Mustafës, përfundimisht ka bërë të ditur se nuk do të përkrahë në Kuvend platformën e qeverisë për dialogun me Serbinë, që parasheh presidentin, Hashim Thaçi në krye të ekipit negociator.

Përmes një deklarate për media, LDK dokumentin e propozuar nga ekzekutivi e quan joserioz.

“Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese. Rrjedhimisht, Grupi Parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës nuk do ta votojë platformën në fjalë”, thuhet në deklaratë.

LDK më tej thotë se mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës..

“LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike”, thuhet në deklaratë që është shpërndarë në Facebook edhe nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti dhe deputetët tjerë të partisë.

Kujtojmë se një nga pikat e rendit të ditës të seancës së sotme plenare është platforma e qeverisë për dialogun me Serbinë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re