Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, është prononcuar në lidhje me aferën e inceneratorëve, si dhe me faktin se një ish-ministër i partisë që ajo përfaqëson ka firmosur për ndërtimin e tyre.

Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, lidhur me ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, Kryetarja e LSI u shpreh se ai është larguar për këtë arsye dhe se partia nuk ndërhynte në punën e ministrave të saj.

“Ai ish-ministër është larguar për shkak të sulmit dhe moskompromisit lidhur me abuzimin në çështjen e inceneratorëve” u shpreh Kryemadhi.

E pyetur nga gazetari Mentor Kikia nëse kjo donte të thoshte që ministrat e LSI ishin jashtë kontrollit të kësaj force, Kryemadhi tha: “Marrëdhënia e ministrave të LSI me strukturat ka qenë zero”.

Kikia: Zoti Meta i ndërronte ministrat e tij pa pyetur Kryeministrin, dhe nëse do donit, Ministrin e Mjedisit mund ta kishit ndërruar brenda 24 orësh.

Kryemadhi: Është çështje pavarësie nga struktura e partisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re