Mark Crawford, ish kreu i dhomës amerikane të tregtisë në një intervistë për gazetaren e Fax news, foli lidhur me përballimin që Shqipëria i bëri Covid 19. Crawford tha se Shqipëria është duke bërë hapa të mira hapjeje, ndërkohë që bizneset po rikthehen në jetën e tyre normale.

“Shqipëria nuk është vendi më i keq krahasuar me të gjithë botën, shqiptarët janë në mes, shumica e shqiptarëve e kanë një pasuri, por nuk kanë para në xhep, prandaj mendojnë se janë në fund të botës. Tani jemi duke u hapur, nëse shohim vërdallë bizneset janë të hapura, njësoj siç ishte dy muaj më parë.

Para dy tre ditësh Trump tha se është mbyllur për njerëzit që vijnë nga Brazili, besoj se ne në Shqipëri jemi mirë, pasi do të hapen kufijtë me fqinjët. Unë besoj se ne kemi pasur një eksperiencë më të mirë se të tjerët sa i takon Covidit”, u shpreh investitori amerikan.

Ndërkohë Crawford foli dhe për mundësine e legalizimit të kanabisit në vendin tonë, kur tha se është një zhvillim pozitiv që do të ndihmojë ekonominë. Ai tha se Shqipëria është një vend bujqësor, dhe kjo mund të jetë një avantazh më shumë për prodhimin e kanabisit për arsye mjekësore.

“Qeveria është duke menduar për hapjen e tregut për kanabisin mjekësor, ku edhe amerikanët dhe kanadezët janë të interesuar, por ende nuk dimë rregullat e lojës. Nuk është ndonjë habi, unë personalisht jam duke folur për këtë mundësi që prej 6 vitesh.

Shqipëria është ende vend bujqësor, dhe prandaj legalizimi i hashashit mund të ishte një mundësi e mirë për të punësuarit. Ka pasur persona që merreshin në të zezë me kanabisin, ndërsa tani ata mund të futen në skemën e sigurimeve, është diçka pozitive, por duhet të shohim draftin”, tha më tej Crawford. Sa i takon krizës ekonomike Crawford tha se fundi i vitit do të sjellë ecuri më të mirë, dhe një rimëkëmbje të shumë sektorëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re