Home OPINION - EDITORIAL Legjitimiteti është drejtësi

Legjitimiteti është drejtësi

0

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Nga Justinian Topulli

Drejtësia është themeli i mbarëvajtjes së çdo gjëje në jetë, duke nisur që nga jeta e individit, familjes, institucioneve dhe shteteve. Pa drejtësi, nuk mund të ketë as dashamirësi dhe as mirëkuptim, as tolerancë dhe as mëshirë, sepse drejtësia është domosdoshmëri, është e para e të parave. Nëse marrëdhëniet ndër njerëzore dhe institucionet nuk do të kishin primare drejtësinë, atëherë në themel të tyre do të kishin padrejtësinë, dhe toleranca e mëshira ndaj saj, është një tjetër padrejtësi, është shkelje e besës, thyerje e amanetit që njerëzit i kanë dhënë Zotit.

Të mëshirosh dhe tolerosh të padrejtin është kriminale. Bota mund të mbahet në këmbë vetëm me anë të drejtësisë, nëse ajo humbet, atëherë fundi i saj është afër. Dhe drejtësia e një institucioni nis me legjitimitetin e tij. Kush shkel legjitimitetin, ka shkelur në themel të drejtësisë së një institucioni. Si mund të jetë i drejtë dhe të vendosë drejtësinë brenda një institucioni, dikush që e nis, e vazhdon dhe e mban atë institucion me metoda ilegjitime?!

Profeti i Allahut ka thënë: “Kur të humbasë amaneti (besa), atëherë prite Kiametin.” Dhe kur u pyet për të, ai tha: “Kur të vendosen çështjet në duart e atyre që nuk iu takon, atëherë prite Kiametin.”
Në këtë hadith, Profeti (alejhi salatu ue selam) e ka vënë theksin, si humbës të amanetit, tek ata që janë përgjegjës për ardhjen në krye të atij që nuk e meriton, dhe kjo përfshin rastin kur zgjedhja e tij bëhet në mënyrë legjitime, kështu që është afërmendsh që ilegjitimiteti dhe zgjedhja përmes manipulimit, është thyerje shumë herë më e rëndë e amanetit, sepse është kryekëput mashtrim dhe padrejtësi.

Kështu që drejtuesit gylenistë të KMSH-së dhe vartësit e tyre, para se t’i japin këshilla xhematit për t’u ruajtur nga fitnet, dhe të mbulojnë gabimet e njëri-tjetrit, duhet t’ia nisin nga zullumi i tyre madhor i ardhjes dhe mbajtjes peng të KMSH-së në mënyrë ilegjitime. Të vendosin në radhë të parë drejtësinë e munguar në vend, pastaj kanë moral të flasin për mëshirën, tolerancën dhe dashamirësinë, sepse kush i vendos këta elementë si më të rëndësishëm, para drejtësisë në marrëdhëniet mes njerëzve dhe në themel të një institucioni, ai ose është i paditur dhe duhet mësojë fenë siç duhet, ose është mashtrues dhe makiavelist i paskrupullt. Kështu që t’i lënë përshpirtjet dhe lëkurën e deles, me të cilën mbulojnë ujkun e tyre, t’i lënë hilet, të mos luajnë me fjalë dhe të mos shtiren më si viktima, por të pranojnë realitetin e ilegjitimitetit dhe zullumit të tyre, sepse në mos në këtë botë, një ditë të gjithë do të japin llogari para Zotit për zullumet e tyre dhe jo të të tjerëve.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë