Ambasada shqiptare në Itali ka bërë një njoftim të rëndësishëm mbi lejet e qëndrimit italiane të skaduara ose në skadim dhe mbi qëndrimin afatshkurtër në Itali gjatë emergjencës për shkak të COVID-19.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë, pas komunikimit me autoritetet italiane lidhur me statusin juridik të shtetasve shqiptarë në Itali, bëhet me dije se lejet e qëndrimit që kanë skaduar ose skadojnë në periudhën 31 janar 2020 – 31 korrik 2020, do të ruajnë vlefshmërinë e tyre deri më 31 gusht 2020.

Kjo periudhë kohore përkon me atë të gjendjes së emergjencës kombëtare për shkak të COVID-19.

Njoftimi i plote

Njoftim mbi lejet e qëndrimit italiane të skaduara ose në skadim dhe mbi qëndrimin afatshkurtër në Itali gjatë emergjencës për shkak të COVID-19.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë, mbi bazën e komunikimit me autoritetet italiane lidhur me statusin juridik të shtetasve shqiptarë në Itali, njofton se lejet e qëndrimit që kanë skaduar ose skadojnë në periudhën 31 janar 2020 – 31 korrik 2020, do të ruajnë vlefshmërinë e tyre deri më 31 gusht 2020. Kjo periudhë kohore përkon me atë të gjendjes së emergjencës kombëtare për shkak të COVID-19.

Gjithashtu, konfirmohet se shtetasit shqiptarë që gjenden në Itali për qëndrim afatshkurtër (me vizë ose të përjashtuar nga detyrimi për t’u pajisur me vizë), por nuk mund të kthehen në vendin e origjinës për shkak të rrethanave objektive të forcës madhore (si mungesa e linjave lidhëse për transportin e njerëzve), mund të vijojnë përkohësisht qëndrimin e tyre në mënyrë të ligjshme, pa përmbushur asnjë formalitet të mëtejshëm.

Qëndrimi në Itali përtej afateve të lejuara nuk do të dëmtojë statusin e tyre juridik, duke pasur gjithsesi parasysh detyrimin ligjor për t’u larguar menjëherë nga territori italian sapo pengesat aktuale të tejkalohen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re