Kryeministri Edi Rama në një komunikim për mediat, tha se ai nuk do të lejojë askënd që thyen besimin e qytetarëve që mbush xhepat duke punuar për shtetin, deklaratë kjo pasi Kuvendi votoi pro arrestimit të Arben Ahmetajt.

Rama theksoi se ai do të qëndrojë i palëkundur ndaj besimit që ka marrë nga qytetarët për udhëheqjen e vendit, edhe pse çdo ditë kundërshtarët e tij hedhin padrejtësisht baltë mbi të.

“Kur kam thënë se nuk duam një reformë për ta vënë drejtësinë nën kontrollin e një pale kundër tjetrës, po duam një drejtësi të re, të pavarur nga pushteti i politikës, të aftë për ta luftuar korrupsionin e niveleve më të larta dhe krimin e organizuar, të ndershme në hetimet e gjykimet e saj, pavarësisht ngjyrave partiake, lidhjeve klanore, tundimeve korruptive, nuk kam qenë vetëm lideri i opozitës, po kam qenë edhe kryeministri i Shqipërisë.  Nuk kam folur për të qenë në rregull me manualin e komunikimit të kryetarit të qeverisë, si paraardhësit e mi.

As nuk jam mjaftuar me fjalët e mëdha për nevojën e Reformës në Drejtësi pa vepruar, por jam përpjekur papushim, për ta miratuar atë edhe me koston e prishjes së qeverisë së koalicionit aso kohe, e pse jo edhe të humbjes së pushtetit, po të ishte nevoja dhe për ta mbështetur atë pa asnjë bishtnim karshi qëllimit të saj të madh, edhe kur ndodh që ajo të veprojë në mënyrë jo fort bindëse në ndonjë rast të caktuar.  Nuk jam përpjekur thjesht për korrupsionin e nivelit të lartë të atyre që dje në qeveri grabitën sa mundën dhe sot në opozitë baltosin sa mundin pa u hyrë ende as edhe një gjemb në këmbë, po e kam pasur edhe për nivelin e lartë të qeverisjes sonë sigurisht sepse mua këtë mision ma kanë besuar shqiptarët dhe përpara atyre, qoftë atyre që më kanë zgjedhur apo qoftë atyre që nuk më kanë zgjedhur për ta udhëhequr këtë përpjekje historike në të mirë të të gjithëve, për këtë vend të bekuar nga dora e Zotit dhe të penguar kaq gjatë nga dora e robit, unë nuk pajtohem dot me askënd që e abuzon këtë besim, duke e kthyer mandatin e shqiptarëve, të votuesve tanë dhe besimin tim gjithashtu, në një mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin, duke punuar për shtetin”, tha Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re