KAPSHTICE- Një doganier i pikës së kalimit kufitar në Kapshticë është arrestuar nga policia e Korçës, pasi dyshohet se ai ka lejuar kalimin e një mjeti me dokumente të falsifikuara në doganë, duke shmangur të gjithë procedurat.

Sipas policisë së Korçës, dyshohet se doganieri Genci Laçaj, ka lejuar kalimin e një mjeti tip kamion me drejtues shtetasin L.A, mbi të cilin ishte ngarkuar një mjet tjetër tip kamionçinë e dëmtuar, me targa dhe dokumentacion të dyshuar si të falsifikuara.

Njoftimi i policisëArrestohet një doganier për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Specialistët e Sektorit të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, mbi bazën e një hetimi të kryer me metoda speciale, bënë të mundur arrestimin e shtetasit:

Genci Laçaj, 50 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë doganier pranë PKK Kapshticë.

Arrestimi i tij u bë pasi, dyshohet së ky shtetas më datë 10.05.2018, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ka lejuar kalimin e një mjeti tip kamion me drejtues shtetasin L.A, mbi të cilin ishte ngarkuar një mjet tjetër tip kamionçinë e dëmtuar, me targa dhe dokumentacion të dyshuar si të falsifikuara, duke shmangur detyrimet doganore për këtë të fundit.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme, bazuar në nenin 259 të Kodit Penal.

(Balkanweb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re