Studimi i ri tregon se ky lëng ul tensionin e gjakut tek të moshuarit, duke ndikuar pozitivisht në ekuilibrin e mikrobiomës orale.

Lëngu i panxharit është njohur tashmë për aftësinë e tij për të ulur natyrshëm tensionin e gjakut, falë nitrateve që përmban. Një studim i ri nga Universiteti i Exeter përforcon rëndësinë e këtyre vetive të dobishme, veçanërisht për të moshuarit. Konkretisht, sipas gjetjeve, efekti pozitiv i lëngut duket se lidhet me ndryshime specifike në mikrobiomën orale të të moshuarve.

Studimi, i cili u botua në revistën shkencore Free Radical Biology and Medicine, krahasoi reagimet e dy grupmoshave: 39 të rritur nën 30 vjeç dhe 36 të rritur të moshës 60 deri në 70 vjeç. Pjesëmarrësit konsumuan një “dozë” me lëng panxhari të koncentruar të pasur me nitrate dy herë në ditë për dy javë, ndërsa për dy javë të tjera morën një suplement placebo pa nitrate. Kishte një periudhë “pastrimi” dy-javore midis dy fazave.

Rezultatet treguan se pirja e lëngut të panxharit çoi në një ulje të ndjeshme të tensionit të gjakut vetëm tek pjesëmarrësit më të vjetër. Në të njëjtën kohë, ndryshimet në mikrobiomën orale u vunë re në të dy grupmoshat, por modelet ishin të ndryshme. Tek të moshuarit, në veçanti, u regjistrua një ulje e baktereve të gjinisë Prevotella dhe një rritje e baktereve të dobishme si Neisseria, të cilat shoqërohen me shëndet më të mirë oral dhe kardiovaskular.

Profesor Dr. Anni Vanhatalo, drejtuesja e studimit, shpjegon:

“Ne e dimë që të moshuarit prodhojnë më pak oksid nitrik ndërsa plaken dhe kanë tendencë të kenë presion më të lartë të gjakut – faktorë të lidhur me ndërlikimet kardiovaskulare, të tilla si goditja në tru dhe ataku në zemër. Përmirësimi i dietës së tyre me perime të pasura me nitrate mund të jetë shumë i dobishëm në planin afatgjatë.” Për më tepër, siç thekson ai, “nëse dikush nuk i pëlqen veçanërisht panxhari, mund të zgjedhë burime të tjera të pasura të nitrateve, të tilla si spinaqi, rukola, kopra, selinoja dhe lakra.”

Bashkautori i studimit, Profesor Dr. Andy Jones, shton: “Hulumtimi tregon se nitratet dietike modifikojnë mikrobiotën orale në një mënyrë që mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit dhe presionit të gjakut tek të moshuarit. Këto gjetje hapin rrugën për studime të ardhshme, më të mëdha, për të shqyrtuar rolin e stilit të jetës dhe gjinisë në përgjigjen ndaj suplementeve dietike me nitrat.”

Studimi përforcon më tej rëndësinë e dietës si një mjet parandalues, veçanërisht në moshën e shtyrë, duke konfirmuar se edhe ndërhyrjet e vogla ditore mund të ofrojnë përfitime të konsiderueshme shëndetësore.

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re