Partizani e nis fazën e dytë si kryesues dhe kalendari si për kapriçio e e ka vënë me një ekip rival në betejën për titullin kampion, Kukësin.

Sfida luhet nesër në kryeqytet dhe në seancën e sotme stërvitore, trajneri Franko Lerda i të kuqve ka besim se skuadra do të marrë 3 pikët e radhës.

Tashmë ai e njeh më mirë Kukësin dhe në prag të sfidës me verilindorët ka pohuar:

“Mendoj se nuk kemi presion për Kukësin. Kush luan apo drejton te Partizani, rëndësi ka që të ruajë ekuilibrat pasi dihen objektivat e klubit. Jemi përgatitur për këtë takim, dhe mendoj se do e zhvillojmë këtë ndeshje me qetësi të plotë, siç kemi bërë edhe në ndeshjet e kaluara. Kemi ndryshuar shumë, pasi tashmë kemi më shumë minuta dhe stërvitje në këmbë. Kemi krijuar një fizionomi të qëndrueshme dhe një ide loje të përbashkët. Kemi rritje edhe në aspektin fizik të lojtarëve. Është rritur edhe njohja ime për kampionatin shqiptar. Kemi bërë një ecuri normale, siç mund të jetë në kampionat”.

Rivali

Lerda është ambientuar dhe tashmë ka një ide të qartë edhe rreth kundërshtarëve të elitës: “Përsa i përket organikës së ekipeve, Kukësi dhe Tirana kanë organikën më të plotë, bashkë me Partizanin. Janë rivalët tanë. Por, janë edhe Teuta e Bylisi, që po bëjnë shumë mirë. Edhe Vllaznia po ecën mirë. Janë skuadrat surprizë të sezonit, dhe po bëjnë një kampionat pozitiv”.

Synimet

Tashmë që Partizani është në krye, trajneri italian i të kuqve shpalos edhe synimet dhe objektivat e çdo sfide: “Përtej fazave, e parë, e dytë apo e tretë, me rëndësi është që ne të marrim pikët në çdo takim. Kukësi është një ekip i vështirë, duke parë edhe organikën që ka në gjirin e saj. Është një ekip që ka lojtarë ekspert, dhe me kualitet në repartin e avancuar. Është një test i rëndësishëm për ne, tashmë që nis edhe faza e dytë. Mendoj se ashtu si ne, edhe Kukësi ka objektiva të qarta për këtë sezon. Po përpiqemi ta përgatisim mirë këtë ndeshje, duke parë edhe sa ditë kemi pasur në dispozicion. Do punojmë edhe sot për të vendosur lojtarët që do zbresin në fushë nesër”.

Situata

Solomon, Trashi dhe Telushi, tre futbollistë mjaft cilësorë në radhët e të kuqve janë me probleme. I pyetur trajneri nëse janë gati për nesër, nuk ka dhënë shumë detaje, por ka prerë shkurt: “Sot do kemi edhe seancën e fundit stërvitore. Do e vlerësojmë gjendjen e tyre fizike”.

Risitë

Sipas trajnerit Lerda, dy ekipet që po surprizojnë, Bylisi e Vllaznia kanë në “dorë” edhe ngjeshjen e garës. Sipas italianit ngjeshja e garës do të vazhdojë nëse sidomos këto dy ekipe do të jenë me këtë ritëm edhe në vijim: “Për momentin nuk mund ta them diçka të tillë, nëse do ketë shkëputje apo ekipet do vazhdojnë të ngjeshura. Bylisi dhe Vllaznia po bëjnë një kampionat shumë të mirë, kanë entuziazëm dhe tashmë mbetet të shihet si do jetë ecuria e këtyre ekipeve, por edhe të tjerëve”.

Formacioni

Trajneri flet edhe për lëvizjet e melos dhe Malës: “Nuk e di se çfarë ka luajtur Melo në të kaluarën, por për mua nuk është lojtar i atij pozicioni. Melon e shoh më shumë si një xhol në repartin ofensiv. Edhe Mala nuk është i adoptuar në pozicionin e mbrojtjes, por po përshtatemi për momentin. Është një lojtar shumë i zgjuar, dhe mund të japë më shumë në pozicionet e tjera”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re