Partizanin e pret një transfertë delikate ditën e nesërme duke qenë se do të luajë përballë Gjirokastrës. Të kuqtë, kanë disa vite që nuk fitojnë në Gjirokastër dhe duket se ka ardhur koha për ta thyer këtë tabu. I këtij mendimi, është trajneri Franko Lerda i cili u shpreh se ditën e nesërme, mund të thyhet tabuja.

Sakaq, ai foli edhe për merkaton duke e përsëritur se merkaton nuk e bën ai vetë por klubi, ndërkohë që sa i përket titullit kampion, Lerda u shpreh se është herët për të përcaktuar skuadrën që mund të rivalizojë.

“Pritshmëritë për Luftëtarin? Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes hapëse do donim ta nisnim mirë me Kukësin, por e kemi harruar atë dhe tani jemi pozitivë. Po shohim pozitivisht dhe mendojmë për ndeshjen e radhës dhe siç e thatë ju nuk është e lehtë.

Presion për pikët? Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Por, jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Sapo kemi nisur kampionatin dhe jemi një grup i ri, kështu që duhet të kemi durim dhe besim, por pa presion.

Tabuja? Ne e urojmë dhe duam ta thyejmë këtë tabu negative, sepse kemi nevojë për pikë.

Ide për rivalët për titull? Jo, jo. Është shpejt. Sipas meje duhet parë faza e parë njëherë, për më tepër që merkatoja është ende e hapur.

Afrime si Tirana? Unë nuk e di se çfarë bën Tirana, ne shohim punën tonë. E përsëris që me merkaton merret klubi.

Merkatoja? E përsëris. Me punët e merkatos merret shoqëria dhe këto ditë vjen Olsi Rama dhe do mbyllim gjithçka. Ai ndodhet jashtë për arsye personale.

Luftëtari? Çdo ndeshje ka histori më vete. Pashë ndeshjen e tyre me Tiranën dhe ishte e çuditshme. 15 minutat e para bënë një ndeshje të mirë, situata është e ndryshme, ambienti i ndryshëm. Ata tani luajnë në shtëpi tani.

Jetëgjatësia e trajnerëve italianë në krye të stolit? Ndoshta e mendoni ju. Unë e mendoj pozitivisht, çfarë do vijë më vonë do të vijë. Nuk varet nga unë”, tha Lerda.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re