Policia ka dhënë informacionin zyrtar lidhur me grabitjen e një banese në orët e para të mëngjesit të sotëm në Korçë, ku tre persona hynë të armatosur në shtëpinë e kambistit Shefqet Muça.

Ky i fundit së bashku me gruan dhe me djalin e tij janë përleshur fizikisht me autorët, ndërsa një prej grabitësve e kanë dhunuar dhe e kanë shtrirë në tokë, deri në mbërritjen e policisë, që i vuri prangat.

Si kambisti Muça, ashtu dhe një prej grabitësve u çuan për mjekim në spital, ndërsa lëndime më të lehta ka marrë bashkëshortja dhe djali i kambistit, që po ashtu kanë parë të gjithë skenën.

Dy grabitësit e tjerë kanë mundur tia mbathin nga vendngjarja, së bashku me sasinë e parave të marra nga banesa, shuma e të cilave nuk dihet ende. Kjo është hera e katërt që banesa e Muços grabitet, ndërsa ngjarjet zakonisht kanë mbetur të pazbardhura nga ana e Policisë.

Një prej fqinjëve të Muçës, i cili ka parë të gjithë ngjarjen, tregon edhe momentet kur i ka kërkuar kambistit Muça që të mos e vriste grabitësin që kishte mundur që të kapte.

“E sulmuan nga rruga sipër. Katër thonë ato, po unë i pashë katër. Pashë vetëm një që Shefqeti e kishte vënë poshtë, Shefqeti i gjakosur këtej, gruaja e goditur, djali i tij ka ndrydhur dorën, unë vajta vetëm sa ia hoqa derën. I vajti tjetri me pistoletë i tha lëshojë, Shefqeti i tha “nuk e lëshoj më vrit”.

Kjo ishte e gjithë. Unë pashë me doreza, autorin, për të mos e vrarë fare e hoqa Shefqetin, lëre se vjen policia i thashë. E kanë goditur Shefqetin te koka, fytyra, djalin nga duar, iu gjend e gjithë lagjja në ndihmë, ça të bënim”, tregon ai.

Njoftimi i plotë i Policisë: 

Më datë 11.01.2021, rreth orës 06:10, në lagjen nr. 1, në rrugën e “Bilbilave”, Korçë, tre persona dyshohet se nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur me dhunë shtetasit Shefqet Muço, me profesion kambist, një sasi lekësh para banesës së tij.

Reagimi i menjëhershëm i Policisë, bëri të mundur ndalimin e njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, i cili ndodhet aktualisht për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, pasi ka marrë lëndime gjatë përplasjes fizike me kambistin dhe forcat e policisë, ku ka tentuar të shmangë kapjen nga ana e tyre.

Ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë, të cilët kanë mundur të largohen me shpejtësi nga vendngjarja me një automjet.

Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli, po bëhet krehja e zonës si edhe po kryhen veprime të tjera hetimore, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. 

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re