Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, apelon sërish Shqipërinë që të lejojë edhe nga qelia kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Belerin që të bëjë betimin.

Në konferencën tradicionale për shtyp në mediat greke në kuadrin e Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u pyet edhe për çështjen Beleri. Mitsotakis insiston që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës të lejohet të bëjë betimin, qoftë edhe nga burgu. Unë nuk ndërhyj në gjykimin e drejtësisë shqiptare, shprehet kryeministri grek, por “heqja e mundësisë së Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie, edhe me statusin e personit të paraburgosur, përbën shkelje të rregullave të shtetit ligjor”.

Ai shprehet se çështja e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit dhe mbajtja e tij në qeli, ka lënë në hije marrëdhëniet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë. Sipas mediave të huaja, komentet Mitsotakis i bëri gjatë një deklarate për mediat, ku tha se kjo çështje ka përmbysur progresin e bërë në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe do t’i krijojë vështirësi Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

“Çështja i lë në hije marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe përmbys progresin që kishim arritur. Më shqetëson veçanërisht fakti që edhe sot Shqipëria refuzon t’i japë atij mundësinë për t’u betuar si kryetar bashkie. Është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe do të ketë implikime më të gjera për përpjekjen e Shqipërisë për t’iu afruar familjes evropiane. Uroj dhe shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje, nuk do të ndalem së ngrituri çështjen e Belerit në BE dhe te zoti Rama”, tha Mitsotakis.

Edhe para pak ditësh ministri i Jashtëm i Greqisë Giorgos Gerapetritis i dërgoi një paralajmërim Shqipërisë në lidhje me çështjen “Beleri”. Duke folur për zgjerimin e BE-së në një konferencë ndërkombëtare në Athinë, Gerapetritis deklaroi se Greqia nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk përmbushin kriteret e anëtarësimit dhe parimet bazë të BE-së, si demokracia dhe gjyqësori. Gerapetritis mbështeti gjithashtu integrimin në BE të vendeve të BP, si dhe të Ukrainës e Moldavisë, duke theksuar se procesi i zgjerimit të BE duhet të rigjallërohet.

“Secili vend ka karakteristikat e veta të veçanta dhe ne duhet t’i respektojmë ato, por gjithashtu duhet të respektojmë termat dhe kushtet e vendosura nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Këshilli Evropian, dhe që kanë të bëjnë me respektimin e rregullave themelore të Bashkimit Evropian. Sidomos në mesin e tyre, në radhë të parë vlerësoj respektin për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Sot, pata rastin të diskutoj me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut për çështjet që kanë të bëjnë me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti të vendit fqinj, për të konstatuar çështjet që dalin dhe për të përcjellë qëndrimin themelor të vendit tonë, që në parim ne kërkojmë dhe inkurajojmë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Megjithatë, respektimi i shtetit ligjor kërkon edhe një qëndrim praktik, i cili tregohet në jetën e përditshme dhe jo vetëm në institucione”, deklaroi ministri grek.

I pyetur mbi çështjen “Beleri”, Gerapetritis tha se arrestimi dhe mbajtja në burg e tij, “përbën një devijim nga e drejta evropiane”, si dhe “shkelje të qartë të të drejtave politike të zotit Beleri, shkelje të prezumimit të pafajësisë dhe të shtetit ligjor”.

“Rasti i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerti, mendoj se përbën një devijim nga e drejta evropiane. Është lajthitje, përderisa një kryetar i zgjedhur për Pushtetin Vendor, nuk ka mundur të marrë përsipër detyrat e tij, sepse nuk është lejuar, të betohet dhe të marrë përsipër detyrat e tij.

Kjo, nga pikëpamja e vendit tonë dhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, përbën shkelje të qartë të të drejtave politike të z. Beleris, shkelje të prezumimit të pafajësisë dhe të shtetit ligjor. Prandaj, po, në parim ne mbështesim me gjithë zemër integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por duhet treguar respekt për parimet e Bashkimit Evropian, të cilat në një masë të madhe janë edhe parime universale dhe kanë të bëjnë me demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, u shpreh Gerapetritis.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re