Presidenti i vendit Ilir Meta kërkon me urgjencë nga ana e qeverisë që të rimbursojë të gjithë qytetarët që janë duke u trajtuar në banesë për Covid 19, dhe t’iu kthejë paratë atyre që e kanë kaluar.

Meta shprehet se mijëra familje shqiptare kanë humbur kursimet e tyre dhe po hyjnë në borxhe për të përballuar pasojat e infektimit me Covid 19, pasi kostot e ilaçeve janë shumë të mëdha.

Presidenti thotë po ashtu se duhet të bëhet sa më parë transparent plani i vaksinimit, dhe babëzia në kushtet e pandemisë është edhe më kriminale.

Postimi i plotë i Metës:

Dëshmitë e pacientëve të infektuar me COVID-19 dhe të afërmve të tyre tregojnë se me mijëra familje kanë humbur kursimet apo po hyjnë në borxhe në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme për të përballuar koston e lartë të barnave dhe analizave të shumta.

Qeveria duhet urgjentisht të RIMBURSOJË pa asnjë vonesë të gjithë qytetarët, të cilët janë kuruar në shtëpi dhe t’u garantojë ILAÇET FALAS të gjithë të infektuarve.

Dokrrat me “shëndetësinë falas” dhe çdo demagogji tjetër duhet të marrin fund!

Qytetarët nuk mund të lihen më në mëshirë të fatit përballë një virusi kaq të rrezikshëm, që vetëm dje mori 21 jetë, shifër rekord për numrin ditor të viktimave.

Urgjentisht të bëhet transparent plani i vaksinimit masiv dhe jo “klasor” i popullatës dhe të ndryshohet rrënjësisht strategjia antiCOVID, mbështetur mbi këshillat e specialistëve më të mirë epidemiologë, virologë e imunologë brenda e jashtë vendit.

“Babëzia” në pandemi është edhe më kriminale!

I vetmi prioritet dhe preokupim duhet të jetë: Mbrojta e shëndetit dhe jetës së qytetarëve!

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb