Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë konferencës së sotme për shtyp në lidhje me letrën e ambasadës ruse për të mbajtur një qëndrim në lidhje me çështjen në Ukrainë.

Rama tha se asnjë qeveri nuk i ka kthyer përgjigje letrës dhe se ajo i drejtohet të gjitha vendeve anëtare të NATO-së dhe OSBE-së. Rama shtoi se: “Zhurma për letrën është pjesë e një zhurme folklorike në katundin e Partisë Demokratike”.

“Më tregoni një qeveri që i ka kthyer përgjigje asaj letre. Ajo letër nuk i drejtohet Shqipërisë, por vendeve anëtare të NATO-s dhe OSBE-së. Asnjë qeveri nuk është marrë me atë letër publikisht.

Çdo qeveri e ka marrë atë  letër, e ka lexuar, po e lexon, ndërkohë që qëndrimet tona publike janë të qarta, të drejta besoj unë.Nuk kemi asnjë problem në marrëdhëniet tona bilaterale me Rusinë.

Rusia nuk është një vend armik i Shqipërisë, por ne kemi një ndarje shumë të qartë në këtë pikë.

Zhurma për letrën është pjesë e një zhurme folklorike në katundin e Partisë Demokratike. Nuk ka lidhje me ne, qeverinë, marrëdhëniet ndërkombëtare, Ukrainën, Rusinë, e të gjitha”, tha Rama

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re